Plazhi i vjetër në Vlorë, pushuesit pëlqejnë rërën kurative dhe çmimet e lira

E frekuentuar dikur vetëm nga mosha e tretë, zona e plazhit të vjetër në Vlorë sot ka një numër të madh pushues vendas dhe turistë të huaj. Rëra kurative, qetësia, shërbimi i ofruar si dhe çmimet e përballueshme, bëjnë që shumë turistë të zgjedhin bregdetin jugor për të kaluar ditët e nxehta.
“Hotelet janë të prenotuar kryesisht me të huaj”, tha menaxheri i një hoteli në zonë.
“Jam nga Ukraina. Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri. Mendoj se natyra është e mrekullueshme dhe plazhi këtu, është perfekt për fëmijët e vegjël”, u shpreh një turiste.
“Vij nga Estonia. Na pëlqen këtu, moti është i mirë, njerëzit janë të sjellshëm”, tha një turiste tjetër.
“Prej katër ditësh po qëndrojmë në Vlorë. Vizitën tonë e nisëm nga Tirana dhe më pas do ikim edhe në Ksamil. Shqipëria ka dete të mrekullueshme. Kulturën e kemi të përafërt, ushqimin gjithashtu. E zgjodhëm sepse çmimet janë më të lira se në Turqi. E vetmja gjë që do të sugjeroja është dhënia e mundësisë për të paguar me kartë”, tha një turist.
Për shkak të rehabilitimit të zonës përmes investimeve në infrastrukturë si dhe në zhvillimin e njësive turistike, ky plazh është rikthyer në vëmendje si një atraksion turistik.
/rtsh.al/