“Lugina e shërimit” në Peshkopi, zona e Dibrës është e njohur për turizmin kurativ

Zona e Dibrës është e njohur për turizmin kurativ, që shfrytëzon burimet termale të Llixhave të Peshkopisë.
Në luginën e përroit të Llixhave ndodhet dhe kompleksi balnear i llixhave që është pronë e bashkisë Peshkopi. Mjeku balneolog Mentor Prifti, tha se pacientët e parë kanë ardhur që në fillim të muajit mars.
“Kur kemi një pranverë të vonë si këtë vit, ne i kemi pritur pacientët e parë në fillim të marsit, por frekuentimi më i madh ka qenë në fillim të majit”, tha mjeku.
Pushuesit në këtë kompleks shprehen të kënaqur me kushtet që iu ofrohen.
“Unë gjithmonë kam preferuar këtë objektin e shtetit”, tha një pushues.
“Këtu çdo gjë është perfekt, pastërti, rregull”, u shpreh një tjetër.
“Numri i njerëzve që vijën në vjeshtë është 3-4 herë më i madh se i pranverës. Ne presim në vjeshtë në ditë nga 1000 deri në 1500 larje”, deklaroi mjeku.
Në total janë 56 vaska në shërbim të pushuesve. Rreth 15,000 pushues në vit nga të gjitha trevat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë shfrytëzojnë burimet termale të Peshkopisë.
/rtsh.al/