Plehrat buzë hekurudhës pranë portës evropiane
SHËNIM I REDAKTORIT - Artikulli i mëposhtëm dhe fotot na janë dërguar nga lexues Miridon T., banues në Laprakë dhe lidhen me një problem që gazeta e ka trajtuar disa muaj më parë në këtë rubrikë, por që në vend të rregullimit të situatës dhe pastrimit të plehrave, burokracia shtetërore, prodhon... letra në formë urdhrash!
Është verë, pjesa e dytë e Gushtit, ditë zagushie, pluhuri, lëvizje të zhurmshme këtu në portën hyrëse nga veriu për në Tiranë. Ndodhem tek shinat e trenit në Kamëz, në zonën që njihet me termin “Treshi”. Shpesh flasim për Shqipëri europiane dhe për investime kolosale. Por “Treshi” ynë, jo vetëm “evropian” nuk është, por po bëhet madje, i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e njerëzve...
Me 12 mars të këtij viti, një lexues, punonjës i vjetër hekurudhe me ndjenjë përgjegjësie dhe kurajo qytetare, bëri prezent në faqet tuaja të Kontaktit, situatën në këtë zonë.
Problemi u pasqyrua ashtu siç ishte. Në foto dukej qartë gjendja e shinave mbuluar nga plehrat, në atë masë sa mund të shkaktonte edhe ndonjë aksident të rëndë. Rezultati? Pas botimit, në vend që ingranazhet e mekanizmit - shtet, të lëviznin për ta zgjidhur këtë situatë, u vunë në lëvizje në të kundërt...
Në këtë periudhë ku plehrat kanë marrë “pasaportë qytetarie”, ndoshta një grumbull plehrash më shumë nuk bën përshtypje. Por në këtë rast, flasim për një rrugë ku shkon treni, dhe ku kalojnë përditë banorë e këmbësorë. Çdokujt që mund t’i bjerë rruga aty, pyet: E mundur që të mos bjerë në sy“shkëlqimi” i plehrave, pak para portës “evropiane” të mbikalimit në Kamëz, ku janë prerë edhe shirita me zell e superlativa vlerësimesh? Miliona euro kushtoi “porta europiane”, si është e mundur që për shumë më pak, të mos stabilizohet një copë e heshtur rrugë treni? Në këtë rast, më së paku, po tregohen të lirë në miell, e të shtrenjtë në krunde...
Pas 4 -5 muajsh të ngritjes së problemit në fjalë në faqet e gazetës suaj që u prish gjumin dhe oreksin abuzuesve në shkallët e hierarkisë-shtet, Dega e Qarkullimit të Drejtorisë Rajonale Hekurudhore Tiranë, (tashmë fantazmë në pritje për t’u shkrirë, e në projeksion ndryshimesh privatizuese koncesionare) nxjerr një urdhër të brendshëm. Ajo që kuptohet nga urdhri me pak rreshta (nga të cilët bie në sy, rreshti i fundit ku shkruhet “ushtarakisht”: Kaq për zbatim!) është që përgjegjës për gjendjen, qenkan vetë punonjësit (!).
Një ndërmarrje që vuan e dergjur në ditët e saja më të zeza, nuk mund të ketë veç punonjës të viktimizuar. E megjithatë, urdhri është urdhër: punonjësit u paralajmëruan se përveç shëndetit dhe jetës, mund të humbisnin dhe punën.
Plehrave tek “Treshi”, të cilave tashmë“u rrinë roje” posterat e kandidatëve për komunë të Kasharit, janë një kullotë e mirë për delet. Bariu vjen aty vërdallë me një hosten krahaqafë, indiferent. Dhe historia vazhdon.
Unë si qytetar dua një përgjigje në shqip. Qoftë edhe shamëni, ironizoni, kritikoni, kundërshtoni, por...mos heshtni. Deri kur...individë, organizata, politikanë, etj, etj do vijojmë kështu? Kur do t’ia nisim mbarë, kur do t’ia dalim mbanë...??
DICITURA E DY FOTOVE:
Pamje nga bllokimi i shinave të trenit tek vendi i quajtur “Treshi” në hyrje të Tiranës, pranë mbikalimit të Kamzës