E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një rast ndotjeje akustike për pushues dhe për banorë

SHËNIM I REDAKTORIT: Artikulli i mëposhtëm është shkruar nga lexues, Aleksandër Ballta. qytetar i Tiranës, banues pranë kompleksit të pishinave në periferinë e afërt të Tiranës

Ashtu si gjithë qytetarët e tjerë të Tiranës jam i detyruar të duroj temperaturat e larta të verës, por krahas kësaj më duhet të duroj dhe një muzikë në nivele të larta që transmetohet nga kompleksi i pishinave (akuadromi), që fillon në orët epara të ditës dhe mbaron në orët e vona të natës, duke e kthyer kështu ambientin në një disko të hapur. Kjo muzikë bëhet shqetësuese jo vetëm për mua, por për të gjithë banorët e pallateve për rreth dhe shpesh bëhet torturuese kur arrin nivele që bëjnë të dridhen muret.

Pavarësisht nga shqetësimi që kam, unë mundohem që të gjej një shpjegim: përseshërben kjo muzikë? Unë mendoj se njerëzit lënë qendrën e Tiranës me pluhur e zhurmadhe vijnë në pishina për t’u freskuar, për t’u qetësuar, për të pushuar dhe me siguri për të shmangur ndotjen akustike.

Jam i sigurt që njerëzit nuk vijnë në pishina për të dëgjuar muzikë, pasi po të donin të bënin një gjë të tillë, mund ta bëninfare mirë në shtëpi ku i kanë të gjitha: radio, televizor, DVD apo CD-player. Nuk kanë pse të vinin e të dëgjonin muzikën që e zgjedhin të tjerët. (Veç kësaj, jetojmë në kohën kur çdo njeri mund të ketë një pajisje të vogël xhepi dhe të dëgjojë muzikën që i pëlqen, kur i pëlqen dhe çfarë i pëlqen).

Edhe në rastin sikur muzika e lartë t’ju pëlqente njerëzve, ata nuk mund të dëgjojnë 7 apo 8 orë muzikë pa pushim. Të përdoresh muzikën për të bërë zhurmë është fyerja më e rëndë që mund t’i bëhet një arti kaq të bukur siç është muzika, por kush do t’ia dije për këtë.

Megjithatë muzika vazhdon deri në orët e vona të natës. Përse pikërisht kështu afër një kompleksi banimi? Përse duhet që edhe natën të dëgjojmë këtë ndotje akustike? Për të mbledhur ata, që gjithë ditën flenë apo zhgryejnë prapanicën kafeneve të Tiranës dhe në darkë vijnë për të bërë “jetë nate” ?

E gjitha kjo rendon në kurriz të banoreve për rreth që kanë fëmijë të vegjël, njerëz të sëmurë apo duan të flenë se do të shkojnë të nesërmen në punë. Paguajmë taksa për të mbajtur në këmbë një qeveri me gjithë institucionet e saj, me Ministrinë e Mjedisit që kujdeset për mjedisin dhe ndotjet, me policinë që kujdeset për rendin e qetësinë, bashkinë etj. Por me sa duket taksat tona shkojnë për lesh, sepse mesa duket qeveria është e zënë me “demontimin” e armëve, prandaj mendova t’i drejtohem shtypit për të parë se cila është forca e tij.

Natyrisht shqetësimi im është një pikë uji në morinë e shqetësimeve dhe problemeve që ka ky vend, por mund të tregojë qartë se qeveria dhe ligji në këtë vend janë vetëm një ornament zbukurimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›