Plehrat, gjoba për 9 kryetarë bashkish e komunash
Gjoba për nëntë kryetarë bashkish e komunash. Nga kontrollet e fundit, Ministria e Mjedisit e ka zgjeruar hartën e penalizimeve. Deri tani numri i gjobave në të gjithë vendin ka arritur në 52. Drejtuesit e pushtetit lokal nuk kanë marrë masa për pastrimin, grumbullimin dhe mirëmbajtjen e vend-depozitimeve të mbetjeve. Territoret që ata administrojnë kanë rezultuar mjaft të ndotura pas kontrolleve. Kësaj here, gjobat deri në 500 mijë lekë do ti paguajnë kryetarët e bashkive dhe komunave të qarkut të Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës, Durrësit dhe Kukësit. Kontrollet nga Inspektorati i Mjedisit do të vazhdojnë në të gjithë territorin dhe do të merren masa administrative të dënimit me gjobë për të gjithë drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore në territorin e të cilëve konstatohen paligjshmëri, bëri me dije dje zyra e shtypit e Ministrisë së Mjedisit. Sipas këtij dikasteri, për të gjithë drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore që do të vazhdojnë moszbatimin e ligjit edhe mbas sanksioneve të vendosura, do të bëhet kallëzim penal për ndotje të mjedisit si dhe kërkesë pranë Këshillit të Ministrave për lirim nga detyra. Ka qenë mosmenaxhimi i saktë i territorit në lidhje me mbetjet urbane, mosmenaxhimi i landfilleve të tyre, hedhja e mbetjeve urbane në brigjet e lumenjve, liqeneve, në akset e rrugëve nacionale. Të gjitha këto bashki e komuna do ti paguajnë gjobat, sepse ligji citon saktë që Inspektorati i Mjedisit do ti çojë të gjitha gjobat në gjykatë dhe pas daljes së urdhrit të ekzekutimit, njësitë përmbarimore do ti vjelin këto gjoba, janë shprehur specialistët e Ministrisë së Mjedisit. Problemet me pastrimin e territorit në vendin tonë janë të bartura tashmë prej vitesh. Plehra sheh anë e kënd vendit. Në krah të rrugëve nacionale, në zonat turistike, në bregdet.
Institucionet
Në qarkun e Gjirokastrës
Në Bashkinë Përmet, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të Bashkisë, Gilbert Jaçe
Në Bashkinë Këlcyrë, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të Bashkisë, Klement Ndoni.Në qarkun e Fierit.
Në Bashkinë Ballsh, 500 000 lekë, në emër të kryetarit Ilir Çela.Në qarkun e Elbasanit
Në komunën Shirgjan, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të komunës, Mustafa Shehu.Në qarkun e Durrësit
Në Bashkinë Fushë-Krujë, 500 000 lekë, në emër të kryetarit Gjon Bardhi
Në Bashkinë Krujë, 500 000 lekë, në emër të kryetarit Shkëlzen Hoxha
Në komunën Gjopalaj, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të komunës, Adrian KokomaniNë qarkun e Kukësit
Në komunën Zapod, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të komunës, Dan Koloshi
Në komunën Topojan, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të komunës, Safet Myftari