Plevica e Edvinit, në pikë të hallit
Nuk votojmë arnime (që të kallim kushtëzime!)
Edvini nuk është gjendur ndonjëherë në pikë të hallit si në ditët e sotme.. Ai nuk e thotë, por edhe kryetari i tij i grupit parlamentar, G. Ruçi, duket se nuk e paska të lehtë ta mbrojë si duhet në parlament. Një gazetë e datës së djeshme e ka diskredituar Gramoz Ruçin, duke i nxjerrë në titull këto fjalë komprometuese: “Ruçi: Nuk votojmë reformat e BE-së, pa u plotësuar kushtet e Ramës”. Meqë Raporti i Këshillit të Europës për zgjedhjet e 8 majit sapo është bërë i njohur, duke theksuar se bashkëpunimi në parlament duhet të jetë pa kushtëzime, ky kushtëzim i individit Rama na del jo vetëm i jashtëkohshëm, por edhe si mendim jo i P. Socialiste, por i nxjerrë sërish nga kreu i saj! Domethënien e kësaj, ia lëmë lexuesit.
Pas daljes së Raportit të Këshillit të Europës për zgjedhjet e 8 majit, këto kushtëzime të cilat Edvinit i janë bërë si një natyrë e dytë, i ka ngrënë buba. Njëherë e përgjithmonë. Ato fjalët e bukura të këngës së Majës, “Hall me ty, qejf me ty”, duhen përgjysmuar për të nxjerrë se në ç’situatë për ibret gjendet tani E. Rama: Keq me ndërkombëtarët, keq me të vetët, që po ia pinë lëngun. Sa për mazhorancën, ajo i ka dalë borxhit, qyshkur i humburi i 28 qershorit të 2009-s, e ka lejuar ta ideojë vetë Kodin Zgjedhor dhe ta firmosë, e zezë mbi të bardhë, me firmën E. Rama. Njëri ndër socialistët më në zë, Elmaz Sherifi, ia ka thënë hapur, duke u shprehur publikisht në një të përditshme: - Përse ta paska fajin doktori? Kodin Zgjedhor ta bëri si e deshe vetë!
Tani Edvini po kujtohet se duhet të vërë dorë rishtazi në ndryshimet kushtetuese. Por këtu u gjend përpara një blloku të njëzëshëm: Kushtetuta nuk mund të bëhet objekt ndryshimesh sipas kapriçiove të E. Ramës. Nuk mund të bëhet dot një kushtetutë që të jetë e mirë, vetëm nëse nxjerr Ramën fitues!
G. Ruçi kërkoi në parlament një hapësirë më të madhe, ndërsa nuk iu përgjigj pyetjes për votimin me 3/5-at apo me shumicë prej 84 votash. Në seancën e 13 gushtit, mori fjalën pas kryeministrit për propozimin e këtij të një rezolute për integrimin dhe për paraqitjen e kandidaturave për avokatin e popullit. Ruçi tha se nuk do të votojë për reformat, pa u plotësuar kërkesat e PS-së (të datës 5) që ka bërë Edi Rama, në grupin parlamentar të PS-së. Edhe këtu del ajo “në qoftë se-ja”! A mos parlamenti na del si nëndegë e PS-së, kur kërkesat e Edvinit në PS, kontestohen edhe brenda kësaj partie, të vënë nën zgjedhë nga E. Rama? Mendimet e Kstriot Islamit, Andis Harasanit, Elmaz Sherifit, Edlira Haxhiymerit e të LMN-së nuk përkojnë asfare me ekstravagancat e kryetarit në detyrë, që është sjellë gjithmonë si një “enfant gâté” në politikën individualiste të një njeriu që ka dëmtuar jo vetëm partinë e tij, por edhe interesat e shqiptarëve.
Interesat e shqiptarëve janë dëmtuar rëndë, sepse Rama e ka të qartë se do të stononte në të majtën europiane, si një majtist ekstremist, i zënë prej gryke nga të gjithë mëkatarët e regjimit të Enverit, që e mbajnë në fuqi që ata të mos përgjigjen për krimet e lemerishme të diktaturës. Kësisoj ai nuk e do, - po aq sa e duan edhe enveristët që gëlojnë rreth tij, - ai nuk do, pra, që të hyjmë në BE, ku nuk mund të vepronte sipas atyre dy fjalëve nën thonjëza, që duan një shpjegim: Fëmijë tekanjoz, shkelmaxhi, i prishur në karakter.
Ia vlen të citojmë prapë Gramoz Ruçin, për të provuar se nuk kanë ardhur në parlament me mend në kokë. Për të treguar kundërshtimin e tij për një rezolutë integrimi, ai tha: “Më 23 dhjetor të vitit të kaluar (ohuuaaa), këtu në Parament, kemi folur për të 12 rekomandimet e BE-së. Ja ku e keni opozitën, ja ku e keni Rezolutën e opozitës. Nga këto nisma duhet të nisë bashkëpunimi ndërmjet palëve për integrimin.. Bisedimi në parlament duhet të fillojë nga vota e lirë”(!).
Po ç’është kjo votë e lirë? Ajo që fitoren ta ketë domosdoshmërisht Rama, qoftë edhe kur kjo +10 mjerane fshin nga defteri qindra e mijëra vota në kuititë e gabuara? Po flasim për votën e lirë, apo për votën që i intereson Edvinit? Në kushtetutë thuhet troç: Vota duhet të jetë e përgjithshme, e lirë, e barabartë. A quhet e barabartë vota kur vlerësohet imja ndërsa jotja nuk merret parasysh, për një ngatërresë administrative?
Le ta shohim këtë problem në Raportin taze të Këshillit të Europës.. Raportuesit Tomas Jirsa dhe Grigore Petrnko shprehen: “Mosnumërimi i votave në kutinë e gabuar do të binte ndesh me parimet europiane(...) Heqja e së drejtës së votimit të një votuesi për gabime rigoroze administrative do të binte ndesh me këto parime”.
Këtu do të kemi parasysh edhe prononcimin e kreut të vëzhguesve të ODIHR-it, Xhonatan Stanestreet-in, që “të nisë puna për Reformën Zgjedhore”.
Me këto pohime të fundit të komunitetit evropian, mund t’i bëhet kjo pyetje Gramozit: - Në Kodin Zgjedhor të ri, natyrisht që do të shkruhet edhe për votat e vlefshme dhe të pavlefshme. Njëri prej neneve do të jëtë: “Do të bëhet numërimi edhe në kutitë e gabuara për vlerësimin e rezultatit, sipas të cilit do të zgjidhet kandidati”. Kështu shmanget ambiguiteti dhe spekulimi alla-Rama me nënkuptimet e mëparshme. Tani, sipas Ruçit, do të pranojmë një vlerësim të shprehur juridikisht për mosshpërdorimin e vullnetit të votuesit (shprehur nga komuniteti evropian), apo do të pranojmë çka thënë Edi Rama në dhjetor të vitit të kaluar?
Nëse qartësohet mirë ky dualitet mendimesh, që s’është aspak një enigmë, atëherë bie edhe ajo marrëzia e radhës e Ramës, që ka thënë: “Nuk do të ngrejmë kartonin jeshil sa për t’i hedhur hi syve Brukselit”! A nuk kuptohet sheshazi se hi syve Brukselit do t’i hidhej po të pranonim “mençuritë” e Ramës që ai të vetëshpallej kryetar me + 10 vota, ndërsa qindra e mijëra të tjera, në adresë të Lulzim Bashës, t’i merrte lumi?!
Ata që flasin me slogane thonë edhe marrëzí të tjera: “Nuk votojmë arnime”. Sepse kërkojnë të imponohemi që të votojmë sipas kushteve që na paravihen: Këto, në të vërtetë, do të ishin arnime!