E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nji jetë e humbun

15-09-2011 / Nga Gjokë Vata

Përshtypja e parë që më ngjalli libri i Ejëll Çobës asht titulli i tij: “Nji jetë e humbun”. Sigurisht thashë me vehte, pa ia fillue ende leximit të kësaj vepre, domethanja e titullit asht shprehja ma tragjike e shumjes së nji jete të nji popullit në nji nga perjudhat ma  mjerane të historis së vet. Përpara kësaj vepre pata lexue shumë libra përshkruese të vuejtjeve të pa imagjinueshme të asaj kohe, prandej mendova se ky libër veçse do të shtonte numrin e librave që na i japin kujtesës ton ato që “Mos na raftë me i harrue”. Pra, pa më shkue ndër mend se veçantia e ktij libri do të më krijonte përshtypje të pa parashikueshme. Libri na tregon qartë se autori nuk e ka lanë as qoftë edhe nji pikël urrejtje me u ba pjesë e atij krijimi përsosmënije të së vërtetës. E kjo vlerë tepër e rrallë e virtytit ma shembullor gjindet vetëm tek njerëzit e përkushtuem me mish e me shpirt me i qëndrue sa ma besnik realitetit. Torturat e tija i quen “Lule” në krahasim me mundimet e  bashkëtëburgosunve të tjerë. Ky sinqeritet i ban edhe ma të ndritshme faqet e këtij libri pa nji pikël fantazije që do të ishte e huej për realitetin mbasi ai realitet asht ma i pamatshmi e ma i pashprehshmi as nga përshkrimet ma gjeniale. E çka mundet me u thanë a me u shkrue për atë perjudhë që të mban pezull në mes të jetës e të vdekjes që vetëm shpresa e banë atë lloj jete disi ma të pranueshme se vdekjen. Megjithket Ejëll Çoba arrin me na bind se edhe me kaq faqe të këtij libri i ban vend vehtes në piedestalin e autorve ma të përmendun. Kjo vepër na përsërit thanjen e Sokratit: “Pa pas nji shpirt të madh nuk mundesh me ba vepra të mëdha”. E ky autor ka shpirtin e intelektin që u prin penës së tij me realizue lapidarin e ma të sakrifikuemve për lirin e vërtet të shqiptarve. Komunistat e dinin mirë thanjen e urtë të popullit: “Rrufeja gjuen lisat ma të lartë”, prandej ata s’pari shtinë në punë zezonën ma të zezë që do t’u shtronte rrugen e përgjakun nen thundrat e diktaturës antiproletarjat. Përshkrimi i kësaj rruge i jep kësaj vepër madhështin që meriton. Ktu e shohim të tmerrshëm tërbimin e zemrimit enverist tue shfry pamëshirshmënin e vet gjatë gjahut drejtue kryesisht kundra intelektualve që qëndronin në ballë të frontit paqsor, të përbam nga atdhetarët ma të flakët në atë kohë kur Atdheu kishte ma shumë nevoj për ta. Kur luftuen kundra të huejve, po e pasonte lufta kundra të tuve, kur lufta ma e pa drejtë po njolloste luften ma të drejtë sepse komunizmi shqiptar “çlirimtar” po e shëndrronte Shqipnin në pjesën ma të skëterrshme të ferrit komunist. Intelektualët e ndjenin thellë domosdoshmënin e ndalimit të asaj rrokullisje katastrofike drejtë humnerës ma të pa fund. Ata synonin shpëtimin e brezave të ardhshëm nga shëndrrimi që do t’i bahej njeriut të vërtet në: “njeriu yn i ri, vepra ma e shkëlqyer e partis”. Duke e ditë se ky shëndrrim do të sillte pasoja shumë të damshme e për nji kohë të gjatë sa mos qoftë than. Prandej kta shpëtimtarë nuk do t’i shpëtonin luftës vllavrasëse komuniste që me planin e parë pesvjeçar “të spastrimit” synonte zhdukjen e nji numri ma të madh bashkëatdhetarësh se sa plani 500 vjeçar i pushtuesit 5-shekullor. E kundërshtarët e ktij plani etiketoheshin “Anmiq të popullit”, si Ejëll Çoba e bashkëluftarët paqsor antikomunista. Ata edhe në mes të atij terrori të pashembullt vazhdonin ende me shpresue se ma në fund “Buka e mund gurin”, por terrori enverist tregoi se buka mund ta mund gurin ndersa zemrave prej guri nuk ka çka i ban. Ket na tregon në mënyren ma bindëse edhe vepra “Nji jetë e humbun” e Ejëll Çobës. Në faqet e ktij libri tronditës gjejmë edhe ma të pamarrshmen me mend përdhunimin edhe të muzikës deri në atë pikë sa të përdhosin me pjesmarrjen e saj në ndihmë të torturave. E ku mundet me u ndij tmerri aq i trishtueshëm sa në tingujt ogurzi të fizarmonikës ogurzez së cilës i përdoret i gjithë volumi për me mbulue britmat që shkaktonin dhimbjet e torturave ma cfilitëse në birucat e burgjeve të improvizueme edhe në mes të lagjeve nga pamjaftushmënija e burgjeve të maparshme. E megjithket, të torturemt me gjakun e torturave të tyne shkruen me germa të përjetshme shembujt ma të rrallë të burrnis njerzore. Britmat e tyne janë shfrim dhimbjesh e njikohsisht kushtrim lirije, prandej duhej pengue me çdo kusht me i kalue muret e burgjeve të mbushuna plotepërplot ai kor i trishtueshm zanesh kushtrimtare në veshët e banorëve në shtëpijat afër atyne burgjeve. Ato zane do t’ua ndrronin drejtimin urrejtjes edhe atyne që deri at’herë u besuen premtimeve komuniste. Kush nuk e dinte tashma se në birucat e tortarave derdhej gjak burrash e asnji lot ligshtije. Kjo qëndres e përshkrimi i saj nga Ejëll Çoba ia bajnë ktij libri faqet e pavdekshme. Autori na thotë se zani i atyne burrave edhe u përkiste bisedave e të qeshunave, por edhe kangve para e pas torturave për me u thanë torturuesave e eprorëve të tyne se kangën e burrit mundet me e ndalë vetëm vdekja së cills njerëzit e heroizmava nuk i frigohen. Nji nga kta shembuj autori na jep me Ramadan Sokolin, që e skaliti figuren e vet si njeri i rrallë e artist i majeve ma të nalta të artit shqiptar e ma gjan. Kanga e antikomunistave i tërbon komunistat ngase ajo asht madhnia e të torturuemve që e zvoglon vogëlsin e torturesave deri në asgja. Keta e shohin se “Shkamb graniti në brigjet e  Adriatikut” janë antikomunistat e jo shkambi i rremë i imagjinuem nga  Enver Hoxha e ortat e tij. Kjo energji që buronte nga ideali i pamposhtun i së drejtës ma të ligjshme zgjonte edhe admirimin e atyne që pushteti komunist i mendonte të vetët. Ket qëndrim njerzor e pasqyron edhe Ejëll Çoba kur na përshkruen mirësjelljen e familjarve të dëshmorve të luftës nacional çlirimtare në seancat gjygjsore si mbështetsa të vendimeve të tyne të padrejta. Ata nuk mund ta konsideronin pafajsin të fajshme. Fajtor ishin protagonistat e luftës “së  klasave”, që në të vërtet nuk ishte luftë klasash, por luftë e nji klase kundra tjetres. Ata shpalleshin “luftënxitsa” vetem e vetem se ngulmonin në gjetjen e rrugës së paqës kombëtare. Komunizmi urren ata që urrejn urrejtjen. Ejëll Çoba shpalos faktet pa i komentue mbasi ata komentojnë vehten. Sado që komunistat e dinin se asgja nuk e vret fojtorin sa pafajsia. Etja për të keqen ia shtonte dëshiren e bamjes  sa ma shumë krimeve. Nuk ka mizori që nuk bahet pellg turpi ku mbytet mizori. Emni i ushtruesit të kësaj mizorije shendrrohet në njollë turpi për pasardhsat e tij. Lexuesi i këtij libri nuk mundet me i përmbajtë lotët e emocionit ma të fuqishëm të keqardhjes kur autori përshkruen me notat ma të dhimbshme fundin tragjik të jetës 28 vjeçare të Virtyt Gjylbegut me emnin ma të perkueshëm me karakterin e tij, i cili këmben atë jetë aq të padurueshme me vdekjen që e ban shumë ma të pranueshme. Në faqet e librit “Nji jetë e humbun” të njejtin vend nderi me atë të burrave xane edhe burrneshat. Nji shembull të tillë heroik autori na jep me Marije Dedën, e cila i thotë bashkshortit të saj: “Unë po vi me ty në mal kundra komunistave, por me kusht me më vra ti vet në ardhtë rasti me na nxan komunistat”. Kushti pranohet e ashtu veprohet. Ky vetmohim për hir të liris asht thelbi i virtytit në gruen shqiptare. Çdo faqe e librit “Nji jetë e humbun” asht permendore e herojve të kësaj vepër dhe e çdo njeriu që ka kontribue e kontribuon për demokracin. Vepra e Ejëll Çobës asht ilaç për shërimin e asaj smundje që e shëndrroi njeriun në rrobot komunist që quhej “Vepra ma e shkëlqyer e partis”. Kujtimet e Ejëll Çobës janë edhe kujtimet e të gjitha viktimave të komunizmit shqiptar, prandej i përshtatet thanja që Viktor Hygo i kushton Dantes: “Sa ma shumë kohë të kaloj, aq ma shumë zvoglohet Bonaparti e aq ma shumë rritet Dante”. Prandej edhe libri i Ejëll Çobës aq sa do t’u ngjall pasardhsave neveri për komunizmin shqiptar, aq ma shumë do t’i mbush me krenari për të sakrifikuemit për lirin e Atdheut.

Autori mban titullin “Krenaria e qytetit të Shkodrës”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›