E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita e ka kuptuar se me një lider jokarizmatik është e dënuar të mbesë në opozitë

15-09-2011 / Redaksionale

Kreu i PS-së, Edi Rama ka thënë dje gjatë prezantimit të një libri mbi tranzicionin shqiptar se “opozita është e dobët në numër, e dobët në zë, për shkak se janë të pakët ata që e kanë dhe e përçojnë kurajën për të qenë vetvetja, pavarësisht rrethanave dhe kushteve”. Auto-analiza frustruese e Ramës është trishtuese, por e vërtetë. Është një autokritikë që i shërben Ramës për t’i shpëtuar gjykimit të mëtejshëm të Kongresit Socialist të 5 (8) nëntorit. Në të vërtetë autokritika e Ramës është e vonuar dhe ngjan më shumë me një auto-akuzë që projekton dështimin e projektit të tij për Partinë Socialiste. Metafora e dobësisë është me vend për këtë opozitë anoreksike në ide e bulike në akuza. Sot PS-ja është e dobët jo vetëm në numrat në parlament, por edhe jashtë saj ndër qytetarë. Zgjedhjet e fundit lokale, të cilat ishin konkurruese dhe transparente, dëftejnë se maxhoranca ka një bazë të gjerë mbështetje, që vlerësohet në 140 mijë vota më shumë. Kjo shifër përkthehet në zgjedhje të mundshme parlamentare në një epërsi shtesë prej 7-8 deputetë për shumicën qeverisëse.
Megjithatë opozita sot është e dobët sepse zëri i saj është konsumuar në opereta bajate, si melodi e kauzave të pasinqerta dhe absurde. Edi Rama dhe shtabi i luftës socialiste i ka kumbuar aq herë “popullit opozitar”, saqë ka humbur kredibilitetin ndër qytetarë dhe është identifikuar si bllokues i reformave integruese. Opozita nën hyqmin socialist ka pasur dredhime, greva urie dhe demonstrata të dhunshme, që kanë pasur synim të vetëm ardhjen në pushtet pa kaluar nga legjitimimi i votës.
Gjithashtu opozita është e dobët dhe me zë të ngjirur sepse ka braktisur misionin fisnik për të përqafuar interesa të ngushta. Opozita është me defekt mbasi ka humbur komunikimin me realitetin, pasi kjo është gjëja më e vështirë për të. Nuk mund ta prekim, ta ndjejmë, nuk mund ta shohim nuk mund ta përjetojnë Për më shumë se dy vite opozita ka bojkotuar kuvendin për të përqafuar rrugën e protestave, si e vetmja rrugë për të mbajtur ngrohtë vezët e kryetarit. Opozita është e sëmurë nga një patologji infantiliteti që e ndalon të mendojë për gjërat kur do të jetë e madhe.
Kuptohet vetiu që është e vështirë të mbash këmbët në tokë kur ndjek logjikën e  miliardave që e rrethojnë opozitën. Deputetët multi-miliarderë që mbajnë ndezur pishtarin e opozitës ndriçojnë vetëm interesat e tyre, që janë në kundërthënie me shtresën në nevojë, që pretendojnë të interesohen. “Për të qenë një socialist i mirë dhe i pranueshëm” - thoshte shkrimtari italian Ignazio Silone - “duhet të jesh miliarder”.  Kështu që një metaforë shkrimtari është kthyer në një tejkalim realiteti në Shqipëri, sigurisht sapo u hedh një sy deklarimeve të pasurisë së deputetëve të opozitës. Edhe pse miliardere, opozita është e përçarë, me debate të brendshme e mendime ndryshe, ku deputetët dalin haptazi kundër drejtimit të kryesisë së Ramës.
Sidoqoftë autokritika e Ramës se “opozita është e dobët” është një reflektim objektiv i gjendjes së mjerueshme të opozitës socialiste. Rama është kthyer në një barrë për PS-në, mjafton të shihen rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Brenda opozitës shumë drejtues të partive të vogla e kanë kuptuar që me një lider jo karizmatik si Edi Rama është shumë e vështirë për të fituar një palë zgjedhje. Ai është një kalë i lodhur dhe të vësh bast për të, është të hedhësh para dhe energji kot.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›