E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pllakë kërcënuese ndaj Grupit Koha

Policia e Kosovës ka hequr sot një tabelë në rrugën “Rexhep Luci” në kryeqytet, e cila ishte “riemërtuar” nga persona të panjohur me “Rruga e UDB-së - Veton dhe Flaka Surroi”.

Drejtuesja e Grupit “Koha”, Flaka Surroi, ka thënë se këtë akt e konsideron “ftesë për disiplinimin e fjalës së lirë”, në kohën kur “Koha Ditore” dhe “Kohavisioni” po raportojnë për zhvillimet rreth “Rastit Limaj” dhe iniciativës së një deputeti të PDK-së për “dënimin e krimeve të komunizmit”.

Vendosjen e kësaj pllake mëngjesin e së enjtes, e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), duke e cilësuar si porosi kërcënuese ndaj Grupit Koha.

“AGPK është shokuar nga porosia kërcënuese e nxjerrë në sheshin kryesor të Prishtinës, nëpërmjet të cilës synohet të degradohen dy figura të shquara të gazetarisë dhe publicistikës kosovare. Mbishkrimi ‘Rruga e UDB-së - Flaka dhe Veton Surroi’ është mesazh thellësisht linçues, i paprecedent dhe mbi të gjitha një kërcënim i hapur ndaj ish-themeluesit dhe pronares aktuale të Grupit Koha”, thuhet në reagimin e AGPK-së.

AGPK kërkon nga organet kompetente të zbardhin urgjentisht rastin dhe të marrin masa për mbrojtjen e fjalës së lirë dhe të gazetarëve e mediave kosovare.

Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), nëpërmes një reagimi, ka theksuar se vendosja e këtij mbishkrimi është "një mënyrë jo e mirë të shprehjes së pakënaqësisë ndaj personaliteteve të mediumeve në Kosovë".

UGK, po ashtu, inkurajon të gjithë gazetarët dhe mediet në Kosovë që të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë të ndershëm dhe të paanshëm, në shërbim të informimit të drejtë dhe saktë të qytetarëve të vendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›