E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeziu: Deklaratat e Mustafës janë pjesë e sharmit të LDK-së

Kërkesa e vazhdueshme e kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa drejtuar LDK-së për rishikim të koalicionit me PDK-në, konsiderohet nga drejtuesit e LDK-së si një ‘begati e sharmit’ të kësaj partie, ndërkohë që nga PDK-ja nuk shihen si serioze, derisa është kërkesë individuale. Nga ana tjetër, opozita konsideron se do të duhej të kishte zgjedhje të reja, ngase kjo qeveri po dëshmon se është e aftë të merret vetëm me vetveten.

Nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka thënë se kërkesa e Isa Mustafës do të shtrohet në mbledhjen e kryesisë së LDK-së të premten, por mbetet të shihet se sa do të ketë mbështetje një kërkesë e tillë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka këtë sharm se ka lloj-lloj opinionesh dhe kjo është begatia e saj. Sa i përket opinionit tim, unë do të them se në qoftë se nuk do të fillonte lufta ndaj korrupsionit atëherë do të isha i dëshpëruar në këtë stablishment duke filluar nga kryeministri Thaçi si përgjegjës, natyrisht edhe presidenti Sejdiu si i pari i vendit. Dhe meqenëse ka filluar tashmë kjo, unë nuk kam më arsye të jem i pakënaqur”, ka thënë Kryeziu, transmeton Kosovapress.

Mbështetës të idesë së Mustafës, Kryeziu i ka parë më së shumti mediat, pushtetin e të cilave megjithatë nuk e ka injoruar.

“Qetësia i vret mediat, stabiliteti definitivisht mediat i vret dhe ne mund të bëjmë ndonjë broçkull për hatër të mediave”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi rikujton mediat se një deklaratë të tij për koalicionin e bën aq shumë të madhe, kurse deklaratat e të tjerëve që po flasin përditë nuk po bëhen të mëdha. Sido që të jetë, Kuçi thekson se nuk ka diçka që mund të vërehet se nuk ka stabilitet qeverisës, pas deklaratave të Mustafës.

“Ne jetojmë në demokraci dhe nuk kemi arsye t’i frikësohemi askujt, por unë besoj që të gjithë jemi të përmbajtshëm të deklaratat tona, por nuk merrem me deklaratat personale të askujt. Nëse vjen me deklaratë zyrtarë kushdo ne do ta japim qëndrimin zyrtar. Përndryshe me deklarata individuale nuk është mirë të merremi”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Ibrahim Makolli, nënkryetar i partisë opozitare, Aleanca Kosova e Re, thekson se mundësia e vetme për të dalë nga ‘ngërçi’ që e ka kap Kosovën është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, ngase sipas tij, edhe një qeveri teknike nuk do të ishte e efektshme.

Sa i përket vazhdimit të koalicionit, ai ka thënë se mund të vazhdojë edhe më tej, por shtrohet pyetja se sa është e efektshme për nevojat e vendit një qeveri e tillë.

“Është dëshmuar shumë herë që kjo qeveri nuk është e gatshme t’i bartë proceset të cilat ka vendi nevojë, në veçanti tash kur para vetes kemi një mori sfidash, të cilat kërkojnë në radhë të parë një legjitimitet më të fortë të organeve të cilat do të mund t’i bartnin këto procese që janë para nesh”, ka thënë ai.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ditëve të fundit ka intensifikuar deklaratat e tij kundër vazhdimit të mëtejmë të koalicionit PDK-LDK.

Këto deklarata kanë ardhur veçmas pas bastisjes së Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, megjithatë sipas analistëve politikë, deklaratat e Mustafës nuk kanë të bëjnë fare me bastisjen e MTPT-së apo me koalicionin qeverisës, por janë për konsum të opinionit brenda LDK-së, kur kihet parasysh fakti se së shpejti do të mbahen zgjedhjet në këtë parti dhe mundësia që Mustafa të jetë një prej kandidatëve për kryetar të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›