E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Plug and Play”, Rama: Shqipëria, qendër rajonale për inovacionin

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në ceremoninë e çeljes së “Plug and Play”, e cila në Shqipëri gjen mjedisin e duhur për të sjellë këto shërbime inovative për industri të ndryshme, me perspektivën që Shqipëria të kthehet në qendrën rajonale të këtyre sipërmarrjeve.

Kryeministri Rama tha se “uroj që “Plug and Play” të nxjerrë një unicorn të paktën, por ama e di shumë mirë që po doli këtu një unicorn, do ta ketë bririn më të madh nga të gjithë, sepse ne shqiptarët jemi me dy brirë, kështu që do jetë një bri mbi tjetrin dhe do jetë unicorni i llahtarshëm. Po doli! Dhe ka vetëm një premisë që të dalë që shqipot e vegjël këtu mos ia ngulin brirët njëri-tjetrit, po të shohin vetëm përpara”.

Kryeministri Rama falënderoi edhe drejtorin e “Plug and Play”, Uranik Begu për kontributin e tij në këtë sipërmarrje, me qëllimin e vendosjes e kësaj qendre në Tiranë.

“E di që ke bërë ca luftëra të brendshme, sepse kishe ca tundime për të shkuar në ca kryeqytete të tjera, po t’i kemi dhënë dhe ne argumentet në fakt për t’i sjellë në Tiranë, kështu që në fund të fundit, i ke sjellë në qytetin me aeroportin me rritjen më të lartë në Evropë. Kështu që, nga një aeroport që ishte kotec pulash në kohën kur ai aeroporti tjetër në veri ishte qendra rajonale, sot kemi një aeroport pothuajse unicorn këtu në Ballkan,” u shpreh Rama.

Kryeministri ndau falënderimet e rastit edhe për ambasadoren franceze në Shqipëri, Catherine Suard.

“Dua të falënderoj edhe Katerinën, është shumë e vërtetë kjo që tha Martini. Francezët për të marrë janë të vetmit, se nuk kanë lënë vend pa shkuar, pa bërë koloni, po për të dhënë, nuk është se shquhen. Dhe fakti që na kanë ardhur tre milionë nga Franca na gëzon, por Martin, kujdes vigjilencë, se kur të japim tre, plani afatgjatë është të të marrin 30, se ku, kjo nuk dihet, se nuk ka kolonizatorë budallenj, ta dish,” tha kryeministri Rama.

/r.e/a.f/

“Plug and Play” në Tiranë, Rama: Kolos global i zhvillimit teknologjik

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›