Plumb bashkëshortit, shkak keqtrajtimi

Policia ka vënë në pranga shtetasen Mimoza Çupi e cila qëlloi të shoqin me pistoletë tip "Zastava" duke e plagosur
Nga grupi hetimor mësohet se vite më parë 22-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia pasi i shoqi pinte dhe e tradhtonte
RRËSHEN - Pas një grindjeje mes bashkëshortësh gruaja qëllon me pistoletë mbi burrin e saj duke e lënë të plagosur në gjendje të rëndë, pikërisht në shtëpinë ku ata banonin. Si shkak për tentativën e vrasjes dyshohet të ketë qenë dhuna e vazhdueshme e ushtruar nga bashkëshorti, ndërkohë që hetimet vijojnë për zbardhjen e ngjarjes.
Ajo akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, ndërsa ndaj të shoqit është ngritur akuza e "armëmbajtjes pa leje", pasi dyshohet se arma i përkiste atij.
Burimet policore të Mirditës sqaruan se rreth orës 9:00 të ditës së djeshme 22-vjeçarja Mimoza Çupi me banim në fshatin Ndërfanë të bashkisë Rrëshen ka qëlluar me armë të tipit "Zastava" mbi bashkëshortin e saj, 32-vjeçarin Dritan Çupi, ndërsa një plumb ka përshkuar barkun e tij dhe organet e brendshme. Në atë moment në shtëpi ka qenë dhe e ëma e Mimozës nga Mnela e Vigut, bashkëshorti dhe fëmija 6-muajsh i çiftit.
Pas krismës kanë qenë dhe të afërm të tjerë që kanë ndërhyrë për të mos e lënë gjendjen të rëndohej më shumë. Të afërmit e Dritanit e morën dhe e dërguan në urgjencën e spitalit Rrëshen për t'i dhënë ndihmën e parë, ndërkohë që ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.
Menjëherë policia vendore ka shkuar në vendngjarje ku ka sekuestruar dhe armën e krimit si objekt prove dhe ka bërë shoqërimin në flagrancë të 22-vjeçares për në drejtorinë e policisë në Lezhë ku ajo është marrë në pyetje. Sipas burimeve, përpara oficerëve të policisë gjyqësore, gruaja ka deklaruar se të shoqin e ka qëlluar për vetëmbrojtje.
Ajo është shprehur se edhe vite më parë ata kanë pasur konflikte për faktin se ai pinte, si dhe e tradhtonte me femra të tjera. Sipas gruas, ajo është larguar disa herë nga shtëpia, duke shkuar tek prindërit e vet për shkak të sjelljes së të shoqit dhe keqtrajtimit që i bënte.
Lidhur me armën me të cilën ka qëlluar 32-vjeçarit, ajo është shprehur se atë ia ka marrë të shoqit, ndërkohë që ka këmbëngulur se e ka shkrepur armën për vetëmbrojtje.
Por tjetër deklaratë mësohet të ketë dhënë në polici bashkëshorti i 22-vjeçares, i cili ka pohuar se gruaja e tij ka dashur ta vriste dhe se nuk e ka bërë një gjë të tillë për vetëmbrojtje.
Lidhur me armën që kishte Mimoza, sipas policisë ajo mbahej pa leje nga i plagosuri Dritan Çupi, ndaj të cilit gjithashtu është ngritur akuza e "armëmbajtjes pa leje".
Mësohet se policia ka shoqëruar dhe të ëmën e vajzës, Drane Prendi nga Mnela, e cila ka qenë dëshmitare në vendin e ngjarjes.
Gjithnjë sipas policisë ndërmjet çiftit ka pasur dhe herë të tjera konflikte të acaruara të trashëguara, madje para një viti ata janë pajtuar nga gjykata në një seancë gjyqësore para divorcit, por që asokohe dukej sikur gjërat ishin sheshuar.
E pyetur në polici e ëma është shprehur se vajza keqtrajtohej vazhdimisht dhe se do kishte qenë më mirë që ata të divorcoheshin se të shkonin deri në këtë konflikt.