E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumb i gomës i rrezikon syrin, Prokuroria e Tiranës nis hetimin kryesisht për plagosjen e protestuesit Erjon Vishkullit dhe tejkalimin e forcës nga policia

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin kryesisht për plagosjen e protestuesit Erjon Vishkullit të shtunën e kaluar në bulevardin pranë Kryeministrisë.

Erjon Vishkulli

Vishkulli, 28 vjeçar u plagos me plumb gome në sy nga forcat e policisë gjatë protestës studentore, e cila pati përplasje të forta të policisë ku edhe një herë tjetër forcat efektive tejkaluan në përdorimin e forcës duke kryer edhe akte dhune.

Sipas prokurorisë së Tiranës në protesta ka patur përdorim joproporcional të forcës nga ana e policisë. Sa i përket rastit të plagosjes së 28-vjeçarit, janë marrë dhe po shqyrtohen pamje nga kamerat e sigurisë së Bankës së Shqipërisë.

Një prej të cilëve ishte plagosje e cila tashmë i rrezikon njërin sy të riut nga Elbasani, që u dërguar në Itali për ndërhyrje te specializuar pas qëndrimit disa orë në Spitalin e Traumës.

Prokuroria shton gjithashtu se administron 20 kartela mjekësore të protestuesve të dhunuar nga policia gjatë protestave të këtyre 2 javëve të fundit, teksa verifikimet për këto raste po kryeh me AMP-në.

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË

PËRGJITHSHËM TIRANË

Prokuroria Tiranë nis hetim kryesisht për dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave në kryeqytet. Hetime edhe për përdorimin jo proporcional të forcës nga policia

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë bën me dije se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.7806, të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.

Menjëherë pas ngjarjes të regjistruar më 24.10.2026, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndër të cilat si administrimi i pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, marrja e kartelës mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Gjithashtu, në kuadër të hetimeve po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve.

Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.

Gjithashtu në të njëjtin procedim po hetohet dhe po kryhen veprime në lidhje me dëmtimin e disa shtetasve, pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit në protesta.

Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të shtetasve të dëmtuar dhe po kryen verifikimet për këto raste me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›