E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumba gazetarit investigativ të radios Tema

Greqi Po hetonte për një çështje të rëndësishme

Një gazetar i njohur grek është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë. Policia mendon se shkaku i atentatit duhet kërkuar në investigimet që drejtonte gazetari Sokratis Golas, drejtor i njërës prej radiove më të dëgjuara në vend. Komuniteti i gazetarëve në Greqi është gdhirë të hënën i shokuar pas lajmit për vrasjen e kolegut të tyre. Ai u ekzekutua në orën 05:30 të mëngjesit nga të paktën tre persona të panjohur. Sipas dëshmive të para, ata e thirrën në telefon dhe iu paraqitën si policë, duke i thënë se kishin evituar një tentativë vjedhjeje të makinës së tij. Gazetari doli dhe në momentin që u shfaq te porta, ata e qëlluan me breshëri. Në trupin e viktimës u gjetën të paktën 10 plumba. Kryetari i Unionit të Gazetarëve u deklarua i tronditur nga vrasja, që e cilësoi si “monstruoze dhe një goditje për demokracinë dhe gazetarinë”. Zëdhënësi i qeverisë greke tha se “është çështje nderi për shtetin që të dëshmojë se liria e shtypit nuk mund të cenohet”. Viktima, babai i një fëmije 2 vjeç, ishte drejtor i përgjithshëm i radios “Tema”, njërës prej radiove me audiencë më të madhe, dhe sipas kolegëve, ekzekutimi i tij mund të jetë vendosur për shkak të investigimeve që ai po kryente aktualisht dhe që nuk janë bërë të njohura për arsye të hetimeve. Në faqen e internetit të radios “Tema” nënvizohet se “nuk përjashtohet që dikush të jetë tmerruar nga ato çka gazetari përgatitej të nxirrte në dritë dhe prandaj u urdhërua ekzekutimi i tij në mënyrë mafioze”. Sipas policisë, atentati ishte “organizuar mjaft mirë, nga vrasës profesionistë”. Në Greqi liria e shtypit funksionon normalisht, ndonëse janë të shumta paditë gjyqësore kundër gazetarëve, kryesisht prej politikanëve. Nga ana tjetër, ndonëse të rralla, nuk kanë munguar edhe rastet e dhunës fizike ndaj gazetarëve. Por, është hera e parë që një punonjës i shtypit paguan me jetën e vet atë që do ta quanim çmimin e ushtrimit korrekt të misionit të tij.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›