Prag epidemie, shkaku uji i pijshëm
Rreth 20 mijë banorë rrezikohen sërish nga rënia e epidemive. Një vit më parë, mijëra banorë u prekën nga infeksionet, për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm në zonën e Poliçanit. Alarmin për rrezikun e përsëritjes së problemet, e jep kreu i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Prej dy ditësh, banorët e Bogovës dhe Poliçanit, të cilët furnizohen nga ujësjellësi i Bogovës, por që rrjeti është i veçantë dhe devijon nëpër uzinën e armëve deri në dhe në krejt qytetin e Poliçanit, nuk mund të konsumojnë ujin që vjen në çezmat e tyre.
Ky tubacion është i amortizuar. Kjo bën që në shumë zona ku ai përshkon, duke përfshirë edhe gropat septike në Komunën Bogovë, bën që uji të krijojë probleme, duke u bashkuar me ujërat e zeza.
Ky problem i mbartur krijon më tepër rrezikshmëri, pasi ende nuk është zgjidhur problemi i ndërtimit të rrjetit të amortizuar, i cili është vendosur që nga krijimi dhe nuk i është nënshtruar asnjëherë rikonstruksionit. Problemi qëndron i hapur prej vitesh, pasi tubi kryesor kalon nëpër kombinatin e armëve dhe për të ndërhyrë në të duhet leje nga ministria. Një tjetër problem është se nëse në të gjithë vendin është zgjidhur kompetencat e drejtimit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, në Poliçan kjo është ende nën kompetencën e drejtorisë së Uzinës, por varet nga Ministria e Mbrojtjes. Kreu i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotka, pohon se kërkesat për kalimin e kompetencave nuk kanë reshtur, por kjo çështje ende nuk ka marrë zgjidhje. Sipas Zotkës, Poliçani ndodhet në prag epidemie. Në këto ditë të nxehta, situata është edhe më e rrezikshme. Sipas inspektorëve të higjienës, uji është i ndotur dhe për këtë arsye janë marrë masat që të ndërpritet për të shmangur ndonjë epidemi të mundshme. Banorët nuk duhet të përdorin ujin që vjen në çezmat e tyre. Aktualisht situata është nën kontroll, por për të shmangur çdo problem dhe një epidemi të mundshme nevojitet një projekt, i cili do të duhej të zëvendësonte rrjetin e amortizuar me një të ri. Ujësjellësi varet nga drejtoria e uzinës dhe për çdo defekt dhe ndërhyrje duhet të priten urdhra nga ministria, pasi nuk lejohet ndërhyrja.
#