E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumba gjyqtares dhe nëpunësit të gjykatës së Brukselit

Personi që kreu krimin makabër dyshohet të jetë një emigrant shqiptar, të cilit i është mohuar azili në Belgjikë

Një person i armatosur, i cili dyshohet të jetë shqiptar, vrau dje një gjyqtare dhe një nëpunës në një gjykatë në Bruksel, duke u larguar më pas në këmbë në qendër të kryeqytetit belg. Personi që ka kryer krimin makabër dyshohet të jetë një emigrant shqiptar të cilit thuhet se i është mohuar azili në Belgjikë. Ka qenë zëdhënësi i gjykatës ai që ka konfirmuar paraprakisht dje në mesditë se autori i ngjarjes së rëndë është një emigrant shqiptar, por për arsye hetimore nuk e ka bërë publik emrin e tij. “Ai ishte i pranishëm në fillim të seancës”, tha për mediat belge, Jean-Marc Meilleur, zëdhënës për zyrën e prokurorit në Bruksel. “Nga fundi i seancës, ai nxori një armë duke hapur zjarr mbi trupin gjykues dhe u largua”. Meilleur deklaroi në një konferencë shtypi se "i armatosuri nuk ka folur” gjatë leximit të vendimit. Pas kryerjes së vrasjes personi i armatosur, i cili mendohet të jetë plagosur, është shpallur në kërkim policor. Në lidhje me këtë krim të tmerrshëm një zëdhënës i policisë në Bruksel deklaroi se është shpallur kërkimi për një emigrant shqiptar. Po sipas tij, të gjitha ndërtesat aty pranë, duke përfshirë edhe një shkollë lokale, janë mbyllur. “Ky njeri mbetet i armatosur dhe i rrezikshëm”, shpjegoi për publikun policia.

Reagimet

Mediat belge raportuan se gjyqtarja e ekzekutuar është Isabelle Brandon dhe nëpunësi është identifikuar si Andre Bellemans. Gjyqtarja po shqyrtonte një padi civile ku përfshihen ato familjare, grindjet me fqinjët, qiratë e papaguara apo mospagimet e kredive. “Vrasja tregoi nevojën për siguri më të fortë në gjykatat belge”, tha ministri i Drejtësisë, Stefaan De Clerck. Po sipas tij, kjo ishte hera e parë në historinë e gjyqësorit belg që një gjyqtare është vrarë në mes të një seance gjyqësore.
Iv Oschinksky, kreu i bar “Bruksel” për avokatët frëngjishtfolëse e quajti vrasjen e dyfishtë “një goditje të rëndë. është e tmerrshme që edhe në gjykatat e paqes jeta nuk mund të jetë e garantuar”. Avokatët dhe gjykatësit kanë mbajtur një minutë heshtje për viktimat në frontin e Drejtësisë. Pier Brimeyer, një nga avokatët që punojnë në gjykatë u tha mediave se “ne kemi qenë dëshmitarë të rritjes së niveleve të dhunës dhe të tensionit në pallatin e drejtësisë për vite me radhë. Incidentet kanë ndodhur edhe më parë dhe tani ne kemi arritur në një nivel kritik”.

Siguria

Kohët e fundit, siguria në Pallatin e Drejtësisë ishte rritur pas dyshimeve për organizimin e sulmeve terroriste. Megjithatë, masat policore dështuan të parandalojnë hyrjen e të armatosurit në gjykatë. “Para se t’i qëllonte autori po ulërinte, po kërcënonte dhe po shante në adresë të gjyqtares dhe asistentes së saj”, tha për mediat belge një dëshmitar. Policia deklaroi ndërkohë se autori i vrasjes është plagosur para godinës së gjykatës në ndjekje nga forcat e policisë të cilët e qëlluan pas paralajmërimit të cilit nuk i ndaloi. Punonjësit e drejtësisë mbajtën një minutë heshtje. “Ajo që ndodhi ishte një tronditje e tmerrshme. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të gjetur vrasësin dhe për ta sjellë atë para drejtësisë. Kjo është një katastrofë absolute”, thanë autoritetet belge.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›