Lin Delija duhet të hyjë në artin shqiptar
U deshën 60 vjet nga koha e arratisjes, që Lin Delija të kthehej si piktor në Shqipëri. Një ekspozitë e pasur, e hapur mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar, ca ligjërata mbi artin e tij dhe kujtime të njerëzve që i kanë qëndruar pranë, përpiqen të sjellin imazhin e një njeriu dhe një artisti që jetoi larg vendit të tij, por që u frymëzua gjithnjë prej tij. Mjafton të kalosh nga njëra tablo te tjetra dhe gjen shkodranen, malësorin me mustaqe, fustanellat, nënën shqiptare, at Zef Pllumin dhe Luk Kaçajn në rini, Anton Arapin dhe figura të tjera françeskanësh. Viti 1992 shënoi të vetmin rikthim për së gjalli të piktorit, një rikthim zhgënjyes. “Lin Delija ka qenë larg vendit të tij, kur këtu kishte probleme të mëdha historike dhe politike. Ta kthejmë tani artistin në atdhe me veprat e tij, për ne është moment i veçantë dhe shpresojmë të jetë edhe për ju. Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 13 korrik është shumë e pasur dhe shumë e ngjeshur, sepse kemi vendosur të rindërtojmë për publikun shqiptar gjithë universin artistik dhe piktoresk të një artisti me personalitet shumë kompleks”, shprehet Antonela Muzi, drejtuesja e muzeut “Lin Delija” në Antrodoko. Ndërkohë Armando Nicoletti, i cili i ka qëndruar pranë për 25 vjet piktorit, sjell kujtimet e Lin Delisë, njeri dhe piktor.
Si e keni njohur ju Lin Delinë?
E kam njohur rreth viteve ‘70 dhe sapo u takuam, u vëllazëruam. Miqësia jonë vazhdoi për vite të tëra deri sa ai u nda nga jeta në vitin 1994. Ishte një personazh i njohur dhe ne vazhdojmë ta ndiejmë mungesën e tij.
Delija, njeri dhe piktor, çfarë mund të na tregoni për të?
Si njeri ai ishte pak bohemian, shumë diellor. Këndonte, imitonte, por piktura ishte ajo që e pasiononte më shumë se gjithçka.
Për rreth 30 vite piktori jetoi në Itali. Cilat ishin mendimet që ndante me ju për Shqipërinë?
Ai fliste gjithnjë me mua për Shqipërinë, nuk e harroi kurrë tokën e tij. Më bënte mjaft përshtypje dashuria që pati deri në fund të jetës për atdheun e vet, lidhja e fortë me besimin dhe me vlerat e kombit të tij. Ndihej shkodran dhe malësor, ndihej nxënës i kolegjit françeskan, por e ndiente veten edhe antrodokan. Mjafton t’u hedhësh një sy pikturave të ekspozuara këtu dhe e kupton që pikturat e tij flasin për Shqipërinë. Edhe tablotë e gëzueshme me motive shqiptare kanë në vetvete figura shqiptare. Lin Delija ka pasur shoqëri me shumë figura të njohura shqiptare, të cilat i kam njohur edhe unë përmes tij. Kishte miqësi me at Zef Pllumin, at Anton Arapin, Luk Kaçajn. Bashkë me të kam takuar edhe një person të rëndësishëm, Nënë Terezën e Kalkutës, e cila vinte paksa heshturazi për vizitë në studion e tij. I ka pikturuar të gjithë.
A donte të kthehej në Shqipëri?
Nuk do ta harroj kurrë momentin e trishtë kur ishim fare afër kufirit shqiptar, por Lini nuk mundi të kalonte. Ishim në Podgoricë të ftuar në shtëpinë e një mikut të tij skulptor, Marko Lukoliç, që sot ndodhet në Firence. Ne udhëtuam në Greqi dhe vende të tjera, ndërsa Shqipërinë e pa vetëm nga larg. Pikturat e tij janë të mbushura me motive shqiptare, por pas vizitës së parë që bëri në Shqipëri pas rënies së komunizmit në vitin 1992, ai u zhgënjye. Nuk gjeti më as vendin dhe as njerëzit që kishte lënë pas arratisjes në vitin 1949. Nuk donte të fliste për këtë.
Megjithatë Delija mbajti kontakt me shqiptarët e diasporës...
Ishte shumë mik me Ernest Koliqin dhe me françeskanin Daniel Gjeçaj, takonte arbëreshët dhe gjithmonë bëhej festë. Ishte kënaqësi të rrije pranë tij. Ai ishte i martuar me pikturën, jo sepse nuk i donte gratë, por sepse ishte pasioni i tij i madh. Lini nuk ishte shumë i gatshëm t’i shiste veprat e tij, edhe pse ndonjëherë ishte i detyruar. Më kujtohet sesi një herë i shiti një vepër një shqiptari të diasporës së Nju Jorkut, por mbas pak kohe u pendua dhe e kuptoi se s’mund të jetonte pa të. Atëherë i çoi fjalë blerësit duke i kërkuar që t’ia kthente pikturën dhe ai vetë i ktheu paratë. Në studion e tij prej artisti, pak të rrëmujshme, po ku ai vetë gjente gjithçka, mendonte për artin dhe asgjë tjetër tokësore.
Cilat ishin dëshirat e tij të papërmbushura?
Ai më thoshte shpesh: Unë dëshiroj të bëj diçka, por nuk kishte mundësitë. Politika atij nuk i interesonte aspak, mendonte vetëm për artin. Nuk ishte tip që vihej të bënte tregti me pikturat e tij. Atëherë unë nuk e kuptoja se çfarë nënkuptonte me shprehjen “të bëj diçka”. ëndrra e tij pas rënies së komunizmit ishte të pikturonte brenda katedrales së Shkodrës. Punoi për muaj të tërë në disa tablo me përmasa të mëdha dhe kishte projekte shumë të detajuara, që mjerisht nuk arriti t’i realizojë. Kur u angazhova në politikë, aktualisht jam zëvendëskryetar i bashkisë dhe përgjegjës i kulturës, mendova se Lin Delija nënkuptonte pikërisht këtë që ne kemi ndërmarrë të bëjmë vitet e fundit: ngritëm një muze në Antrodoko, një muze tjetër në Ancona dhe nisa të bëja dhurime. Në vitin 2004, në bashkëpunim me koleksionisten gjermane Erica Schütz, i dhuruam Galerisë Kombëtare të Arteve 27 piktura të Lin Delisë, pjesë e koleksioneve tona private. Nuk e di pse deri më tani nuk janë ekspozuar, por është e drejtë që ky piktor të hyjë në historinë e artit shqiptar. Lin Delija ekspozohet në Vatikan, në dy muze kushtuar atij, në shumë vende të botës dhe do të ishte e drejtë që edhe Shqipëria të flasë për të, sepse ai gjithnjë e ka thënë me nder se ishte shqiptar.
#