E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumba mbi banesë, gardiani: Fëmijët hynë poshtë krevatit

FUSHE-KRUJE- Abdi Kuka, punon prej dy vjetësh në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Është caktuar në sektorin e të burgosurve përjetë dhe çdo ditë përballet me pasigurinë për jetën, kërcënime e madje siç thotë edhe ai, sulme nga të afërmit e të dënuarve. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Kuka, baba i 2 fëmijëve të mitur, rrëfen ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 2 shtatorit, e cila e detyroi t’u drejtohej mediave. 

Banesa e prindërve të tij, në fshatin Rremull të komunës Kukaj në Burrel, është qëlluar me breshëri automatiku, ndërsa brenda ndodheshin 2 fëmijët 10 e 12 vjeç, si dhe bashkëshortja me nënën, të cilët, të tmerruar kanë vrapuar të fshihen poshtë krevatit. Pas ngjarjes, autorët e këtij sulmi kanë zhdukur çdo provë, duke marrë me vete edhe gëzhojat e plumbave të qitur. 

Abdi, a mund të na tregosh si jeni kërcënuar? 
Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e prindërve të mi në Mat, në datën 2 shtator, në orën 22:20. Kanë ardhur 2 persona dhe kanë kërcënuar me armë, kanë shtënë me automatik dhe janë larguar. Pas 20 minutash, makina u kthye përsëri dhe po bënte xhiro para shtëpisë. Asnjë familjar nuk i ka parë. Ka qenë nusja, mami dhe dy fëmijët e mitur, dhe nga frika janë strukur poshtë krevateve. Më pas gruaja më ka marrë mua në telefon. Më tha “po na vrasin, janë jashtë me makinë e me armë”. 
Po ju, ku gjendeshit? 
Unë isha në Tiranë, gati për t’u nisur për në punë. Isha turni i tretë. Menjëherë lajmërova policinë e Matit, e cila shkoi në shtëpinë time, por ata ishin larguar. Edhe vetë u nisa për në banesë, i gjeta familjarët të tmerruar. Fëmijët qanin me të madhe. Unë sa kisha mbaruar pushimet dhe atë ditë u largova nga fshati. Ata më kanë ruajtur që kisha ikur dhe kanë kërcënuar familjen. 
Filloi hetimi për ngjarjen nga Komisariati i Burrelit? 
Po, ata nisën procedim, por nuk kanë asnjë të dyshuar. Siç më thanë punonjësit e policisë, autorët kishin mbledhur edhe gëzhojat e armëve në oborr dhe kishin prishur provat e ngjarjes. Kësisoj unë s’di kë të akuzoj. Unë dhe familja ime nuk kemi pasur asnjë konflikt. 
Sa kohë keni që punoni në burgun e Fushë- Krujës? 
Prej dy vjetësh. Punoja në burgun e Burrelit, por u transferova këtu. Më pas mora edhe një shtëpi me qira në Tiranë dhe solla familjen. Familja shkoi për disa ditë pushimi në fshat, ku qëndron nëna ime. 
Pse thoni se kërcënimi ka të bëjë me punën tuaj?
Nga grada jam inspektor dhe deri tani nuk kam toleruar asnjë shkelje ligji në burg. Ndihem i pasigurt për shkak të detyrës, sepse nuk toleroj ashtu siç bëjnë kolegët e mi. Punoj me Grupin e Gatshëm, jemi në përballje me të dënuar të përjetshëm, kryejmë aksione dhe kapim sende të ndalura brenda në burg, celularë dhe thika që i mbajnë të burgosurit. Të punosh në burg je gjithmonë në konflikt, ne jemi përballë të dënuarve të rrezikshëm. Mua si gardian i rreptë më dërgojnë në sektorin e sigurisë së lartë. Gjatë kontrolleve kam gjetur celularë që mbajnë të burgosurit, thika etj. Por një celular kushton 1 milion lekë për ata që i mbajnë në burg dhe domosdoshmërisht mua më kërcënojnë në të tilla mënyra në familje. 
Çfarë kërkoni ju? 
Të burgosurit kanë të afërm jashtë që vijnë e na sulmojnë. Kemi pasur shumë raste kur të afërmit e tyre apo persona të panjohur na kanë kërcënuar e na kanë fyer. Nuk kemi përkrahje nga shteti, dikush duhet të mendojë për ne.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›