Po finalizohen përgatitjet për Panairin e 17-të të Librit në Prishtinë

Shoqata e Botuesve të Kosovës është në përfundim të përgatitjeve për Panairin e 17-të e Librit në Prishtinë, që do të mbahet mes datave 2 dhe 7 qershor në Pallatin e Rinisë. Panairi do të mbledhë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.
Si zakonisht çmimet do të jepen në darkën solemne të panairit, më 6 qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me Trofeun e Panairit. Sipas vlerësimit të jurisë çmime do të jepen për shkrimtarin e vitit (letërsi shqipe), shkrimtarin e vitit (letërsi e huaj), stenda më e vizituar, librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë (studime letrare, eseistikë, publicistikë) dhe përkthim letrar.
Besian Zeneli, nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, tha për kosovalive se si zakonisht në panair do të jenë të pranishëm emra të njohur të letërsisë, dhe një mysafir special.
"Në Panairin e Prishtinës do të mblidhen shkrimtarë të njohur shqiptar. E veçanta e këtij panairi është prezenca e shkrimtarit nga Amerika, Dan Fante, që ketë vit është mysafir special", tha ai.
Intensiteti i punës për përgatitjen e panairit vërehet edhe në disa nga libraritë vendore. Artin Mehmeti. nga libraria "Artini", ka thënë për kosovalive se për këtë panair ata kanë përmbledhur rreth 100 tituj të rinj.
"Libraria Artini në kuadër të saj mbledh tituj nga 5 shtëpi botuese, Toena, Dudaj, Artini, Instituti Albanologjik dhe Papirus. Artini ka përgatitur 8 tituj të rinj, kryesisht tituj universitar, nisur nga libri i Arsim Bajramit, Neki Junikut, Amir Muharremit etj, kurse Dudaj e Toena afërsisht 15 tituj të rinj, kryesisht romane, vlen të përmenden 'Shkelja e Kurorës' nga Paul Coelho apo "000" nga Roberto Savijano", thekson ai.
Nga libraria "Buzuku", Edon Zeneli tha se ata po përgatitin rreth 15 tituj për edicionin e 17 të Panairit në Prishtinë.
"Buzuku po përpiqet të mbledhë rreth 15 tituj të rinj për këtë panair. Priten të paktën 2-3 tituj nga nobelisti i fundit Patric Modian, një libër i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prof. Kujtim Shala, një libër nga Roland Barths, i cili gjithashtu do të përkujtohet në panair, një libër nga shkrimtari amerikan Dan Fante, që është edhe mysafir i panairit dhe disa tituj të tjerë që pritet të konfirmohen", tha ai.
Ky panair shënon më përurime dhe debate 150-vjetorin e lindjes së Zef Skiroit, 100-vjetorin e lindjes së Roland Barthes, 100-vjetorin e lindjes së Arthur Miller, 100-vjetorin e vdekjes së Josif Bagerit, 95-vjetorin e lindjes së Mark Krasniqit e 20-vjetorin e vdekjes së Anton Pashkut.
Panairi i librit në Prishtinë organizohet çdo vit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Panairi i parë është mbajtur nga 17-22 nëntor 1999, ndërsa të tjerët organizohen gjatë muajve maj-qershor.