“Po flet elita, stop!”- Protesta e studentëve dhe pedagogëve, Korreshi: Rezistenca më e admirueshme! Me 50 mln eurot që vodhi Balluku, do jetonin 50 vite pa lekë të rinjtë në konvikte
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, e ka cilësuar rezistencën e studentëve dhe të pedagogëve si një nga më të admirueshmet në 36 vitet e demokracisë në Shqipëri.
Në një deklaratë për News24 nga protesta te Kryeministria, Korreshi vlerësoi qëndrueshmërinë e të rinjve, duke theksuar se përfshirja e pedagogëve në protestë i ka dhënë më shumë forcë rezistencës dhe, sipas tij, ka rrëzuar pretendimin e kryeministrit Edi Rama se studentët janë “kokëbosh”.
“Është një nga rezistencat më të admirueshme që kanë ndodhur gjatë këtyre 36 viteve të demokracisë. Është një nga më të bukurat. Unë kam parë dhjetëra e qindra nxënës, studentë. Sot isha te ‘Mine Peza’, ishin gati 118 të ndaluar. Kishin një moral të jashtëzakonshëm, për t’u admiruar, të them të drejtën. Janë pjesë e historisë. Sot dhe dje, prezenca e pedagogëve ia ka shtuar bukurinë kësaj rezistence dhe ia ka rrëzuar kauzën shokut Rama, kur thotë se janë kokëbosh”, deklaroi Korreshi.
Deputeti i opozitës argumentoi se përfshirja e pedagogëve në protestë tregon se kriza ka prekur edhe elitën akademike, e cila i njeh nga afër problemet e sistemit arsimor dhe vështirësitë me të cilat përballen studentët.
Korreshi solli në vëmendje dhe akuzat ndaj Ballukut për abuzimet me tenderin e Tunelit të Llogarasë, ku tha se “me 50 milionë eurot që vodhi Balluku te Tuneli i Llogarasë, studentët do të kishin ndenjur 50 vjet në konvikte pa lekë”.
Korreshi u shpreh se bojkotimi i mësimit nga pedagogët është një sinjal se situata ka arritur në pikën kritike.
“Sot ka dalë elita dhe do të thotë që e ka parë situatën. Kanë bojkotuar të gjithë pedagogët. Kësaj pune i ka ardhur fundi”, tha ai.
Deputeti bëri thirrje që protestës t’i bashkohen edhe profesionistë të sektorëve të tjerë, veçanërisht mjekët, pasi sipas tij, përveç arsimit, edhe sistemi shëndetësor përballet me probleme të rënda.
Në përfundim, Korreshi kritikoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me pagesën nga prindërit për të rinjtë që kanë sulmuar me pllakat e trotuareve efektivët e policisë gjatë protestave, duke kërkuar që vëmendja të përqendrohet te paratë që u janë vjedhur qytetarëve.
“Po mirë, o, ajo që vodhi, a do t’ia marrim këto miliarda që ua ka vjedhur shqiptarëve? Po këtyre të tjerëve, Gys Agasit? Të gjithë hajdutët e këtij vendi do t’ua rikuperojnë në shtatë breza atë që kanë vjedhur”, u shpreh ai.
Saimir Korreshi: Është një nga rezistencat më të admirueshme që kanë ndodhur gjatë këtyre 36 viteve të demokracisë. Është një nga më të bukurat. Unë kam parë dhjetëra e qindra nxënës, studentë. Sot isha te “Mine Peza”, ishin gati 118 të ndaluar. Kishin një moral të jashtëzakonshëm, për t’u admiruar, të them të drejtën. Janë pjesë e historisë. Sot dhe dje, prezenca e pedagogëve ia ka shtuar bukurinë kësaj rezistence dhe ia ka rrëzuar kauzën shokut Rama, kur thotë se janë kokëbosh.
Kolapsi i institucioneve mund të sjellë ndryshime. Po flet elita. Kur flet elita, stop! Janë ata që e shikojnë këtë të ardhme, i dinë auditorët, fondet e universiteteve. E dinë që me 50 milionë eurot që vodhi Balluku te Tuneli i Llogarasë, studentët do të kishin ndenjur 50 vjet në konvikte pa lekë. Po lëre sa mijëra e mijëra, me Gys Agasin e të tjerë me radhë, sa miliona euro.
Si te shkollat, si te gjimnazet, si në shkollat nëpër fshatra, i ke makabër. Nuk ofrohet shërbimi urban. Ke një kolaps të sistemit arsimor dhe ata, më mirë se kushdo, pedagogët, e dinë se si vijnë nxënësit, çfarë vështirësish kanë për të përballuar jetën në Tiranë, që duhet të punojnë dhe rrogat nuk janë në nivele që të justifikojnë qiratë.
Sot ka dalë elita dhe do të thotë që e ka parë situatën. Kanë bojkotuar të gjithë pedagogët. Kësaj pune i ka ardhur fundi. Të shtunën do të ketë njerëz nga e gjithë Shqipëria, një pjesëmarrje shumë të madhe. Kështu, po shohim një organizim gjithandej. Duhet të kishte edhe fusha të tjera, përveç studentëve, t’u bashkohen edhe mjekët.
Nëse ka një kolaps tjetër, është edhe sistemi i mjekësisë. Vetëm në Tiranë ka, rrethet janë përtokë. Nuk japin asnjë lloj shërbimi, duhet të vijnë të gjithë në Tiranë. E dimë sa helikopterë kemi, një. Zjarrfikësit e dimë si janë, skandalozë. Hiq mjekët, pjesën tjetër kush e përfaqëson? E përfaqëson patronazhisti, luan me bukën e tyre. I kanë bërë presion.
Në Vlorë, policët shkuan në auditor për të ndaluar studentët të dilnin. Shteti po i rreh natën, po u jep dajak. Për gjuhën ndaj gazetarëve, i kanë ndaluar, i kanë goditur. Ju sot jeni në disa zyra të tjera, sepse “KAYO”, që do të bënte namin, mori miliona. Çfarë ka bërë? Ishte një nxjerrje dufi për atë që ju nxirrnit nga mëngjesi deri në darkë. Neës 24 e ka mbuluar në mënyrë maksimale.
Ju e patë vetë se çfarë bën shteti ndaj jush, ndaj medias, ndaj jush si gazetare, sapo shikon logon. Del në mëngjes ai dhe thotë se prindërit do të paguajnë pllakat e trotuarit. Po mirë, o, ajo që vodhi, a do t’ia marrim këto miliarda që ua ka vjedhur shqiptarëve? Po këtyre të tjerëve, Gys Agasit? Të gjithë hajdutët e këtij vendi do t’ua rikuperojnë në shtatë breza atë që kanë vjedhur. Raportet e KLSH-së tregojnë se sa miliarda lekë dëm i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit.