“Djem e vajza që ulërasin si në mesjetë”- Studentët i kërkojnë dorëheqjen dhe refuzojnë dialogun, Rama: Mblidhen nga periferitë dhe sponsorizohen nga krimi
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat e studenteve si një aksion të orkestruar nga elementë të brendshëm dhe të jashtëm, duke përmendur lëvizjen ANTIFA, grupe të radikalizuara të rinisë dhe elementë të kriminalitetit.

Në një takim që kreu i qeverisë zhvilloi me përfaqësues të bankave, i konsideroi studentët që protestojnë si anarkiste, neo komunistë që ulërasin si në mesjetë.
“Kjo është një dhunë e orkestruar. Është një dhunë e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm. Është një dhunë e lidhur edhe me çka ndodh në qytete të tjera, në kryeqytete të tjera të Europës, përmes një lëvizje anarkiste neo-komuniste e cila quhet Antifa dhe njëkohësisht edhe pjesësh të tjera të radikalizuara të rinisë, por ky është vetëm njëri nga komponentët e dhunës. Vajza dhe djem që janë të ekstremizuar dhe që ulërasin, bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës apo si në kohën e pasluftës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre përfaqëson të keqen dhe ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve dhe i periferive që mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar, por njëkohësisht edhe të subjekteve të tjera politike.”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, këto grupe kanë mbështetje nga forca të huaja që synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe Evropës.
” Dhe të gjitha këto së bashku pastaj kanë një mbështetje të jashtëzakonshme, të provuar dhe që provohet dita ditës nga forca të huaja të interesuara për të destabilizuar Shqipërinë dhe të interesuara për të destabilizuar edhe Europën në tërësi.Natyrisht që këta elementë të bashkuar në një front të vetëm nuk janë studentët, nuk janë pjesa e shoqërisë që ka të gjitha arsyet e veta legjitime për të shprehur pakënaqësi, për të protestuar, për të kërkuar ndryshim, për të kërkuar shumëçka tjetër.“, tha Rama.
Teksa komentoi edhe mbeshtetjen e pedagogëve, kryeministri u shpreh: “Fatkeqësisht ka njerëz gjithmonë e më pak për hir të vërtetës, po sidoqoftë ka njerëz si rasti i kinse pedagogëve të universitetit, një pjesë shumë e vogël e pedagogëve në tërësi, së bashku me të tjerë të përzier aty që i bëjnë jehonë, i japin mbështetje dhe që nuk bëjnë asgjë për të distancuar nga dhuna, gjë që pastaj e merr të plotë jehonën edhe në ekrane ku për fat të keq himnizohet dhuna dhe sulmohet në bllok shteti përmes sulmeve me policinë.”.