“Do dialog kur i vendoset laku në fyt!”- Studenti: Rama na kërcënon si diktator! Nuk negociohet dorëheqja, po mban pushtetin me dhunën e policisë
Studenti Martinjo Myrtollari, ka deklaruar se studentët do të vijojnë protestat, duke këmbëngulur se kërkesa e tyre e vetme dhe e panegociueshme është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në “News24”, Myrtollari i cilësoi deklaratat e fundit të kryeministrit si “gjithnjë e më komike”, duke i konsideruar kërcënime e tij si të një diktatori.
Ai kritikoi gjithashtu thirrjet e Ramës për dialog, duke u shprehur se kreu i qeverisë do “dialog vetëm kur i vendoset laku në fyt”, ndërkohë pas 140 ditësh protestë ata u përballën me ironi, tallje dhe përbuzje nga kryeministri.
“Jemi mësuar të na ftojë në dialogje, por në fakt ato kthehen në monologje. Nuk mendoj se ka më hapësirë për dialog në këtë pikë ku është gjendja e studentëve dhe e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Myrtollari.
Ai theksoi se dorëheqja e kryeministrit është një kërkesë e panegociueshme, ndërsa akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim joproporcional të forcës ndaj protestuesve, gazetarëve dhe qytetarëve të tjerë.
“Çfarë të dialogojmë? A mund të dialogohet një dorëheqje? Është e panegociueshme”, deklaroi studenti, ndërsa theksoi se pushteti po mbahet përmes forcës policore.
Studenti Martinjo Myrtollari: Deklaratat e kryeministrit sa vijnë e bëhen edhe më komike. Kemi dëgjuar gjëra që as ai vetë nuk i beson se do t’i realizojë, sepse janë kërcënime të hapura, që mund të bëhen në një shtet diktatorial, nga një diktator. Studentët do të vazhdojnë të protestojnë dhe kanë vetëm një kërkesë, dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Nuk është hera e parë që kryeministri kërkon dialog. Ai do dialog vetëm kur i vendoset laku në fyt, le të themi. E ka propozuar edhe në vitin 2018, edhe tani, por ne jemi më se të vendosur. Ne kemi pasur dhe kishim nevojë që, pas 140 ditësh protestë, të dëgjoheshim nga kryeministri dhe të merrnim një përgjigje. Ajo që morëm mbrapsht ishte ironi, tallje dhe përbuzje për të gjithë atë investim tonin që dhamë para Kryeministrisë për 140 ditë rresht.
Jemi mësuar të na ftojë në dialogje, por në fakt ato kthehen në monologje. Nuk mendoj se ka më hapësirë për dialog në këtë pikë ku është gjendja e studentëve dhe e të gjithë shqiptarëve.
Çfarë të dialogojmë? A mund të dialogohet një dorëheqje? Është e panegociueshme. Dhuna joproporcionale nga policia ka qenë më se e dukshme dhe është kritikuar nga çdokush. Në qoftë se flasim për këtë, atëherë nuk kemi çfarë të flasim më, sepse ky është fundi.
Pra, policë që dhunojnë median, studentët dhe të moshuarit, nuk kemi parë në asnjë vend të Evropës. Mënyra se si po dhunohen të rinjtë nga policia është mizore. Madje, para disa ditësh, pamë një fragment ku një polic ia çau ballin një 16-vjeçari. Çfarë mund të presim më shumë? Ne momentalisht kemi një shtet policor. Nuk po funksionon asnjë institucion dhe pushteti po mbahet me dhunën e policisë.