E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Po humbisni shumë mundësi”, përfaqësuesja e SHBA në Kosovë apelon për zgjidhjen e ngërçit

Në një intervistë për Gazetën Express, e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, tha se mosformimi i institucioneve të reja bazë pas zgjedhjeve, si Parlamenti apo qeveria, po rezulton me humbje të mundësive për Kosovën.

“Një vend pa institucionet bazë dhe me një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre është një partner te i cili nuk mund të mbështetemi plotësisht. Paaftësia e Kosovës për të formuar institucionet mund të bëjë që kompanitë amerikane të bëjnë biznes diku tjetër. Mundësitë për ta forcuar marrëdhënien tonë ekonomike mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon,” u shpreh znj. Parttipati.

Pyetjes se pse nuk pati ndërhyrje nga bashkësia ndërkombëtare për të bindur partitë për tejkalimin e ngërçit, diplomatja amerikane iu përgjigj: “Ata duhet të punojnë së bashku për ta gjetur një kompromis. Është përgjegjësi e këtyre liderëve politikë ta zgjidhin këtë ngërç. Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund t’i bëjnë zgjedhjet për udhëheqësit apo popullin e Kosovës.”

Lidhur me raportet mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti, dhe SHBA-së, znj. Prattipati tha se vendi i saj është i përkushtuar për raporte të forta me Kosovën.

“Veprimet që ndikojnë negativisht tek qytetarët, jo vetëm që rrezikojnë marrëdhëniet bilaterale të Kosovës, por gjithashtu shkojnë drejtpërdrejt kundër prioriteteve kryesore të Shteteve të Bashkuara në rajon. Stabiliteti dhe siguria rajonale janë kyçe për mirëqenien ekonomike,” deklaroi ajo.

Teksa foli për qasjen që ka administrata Trump ndaj Kosovës, znj. Prattipati tha se presidenti amerikan ka prioritet sigurinë, stabilitetin dhe raportet e drejta ekonomike.

Gjatë intervistës, zyrtarja e lartë amerikane përsëriti shqetësimet e Uashingtonit për mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura. Ajo u shpreh se institucionet paralele serbe duhet të integrohen në sistemin e Kosovës, por, sipas saj, është e rëndësishme mënyra se si arrihet kjo gjë.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›