Po ky, çpati?
Replikë e detyruar ndaj një Opinioni të trishtuar, por miqësor të kolonelit në lirim, Myslym Pashaj
Nga Ksenofon Krisafi*
Lexova replikën e kolonelit në lirim, Myslym Pashaj me titull Opinion i trishtuar, por miqësor, ndaj intervistës sime të botuar pardje në gazetën Dita. Duke u përpjekur përmes fjalorit të tij folklorizues, me inflacion termash pa kontekst logjik, me ububura, laguna e guna, objektiva madhorë, studimorë, zhvillimorë, departamente, universitete, fakultete planetarë, europianë, mesdhetarë etj, arrita të kuptoja se topografit Pashaj na i kishte mbetur hatri se kisha hyrë në parcelën e privatizuar prej tij, në çështjen e njohur me emrin pakti detar me Greqinë. E kishte prekur pohimi im që pakti detar u hodh poshtë si rezultat i reagimit të një grupi specialistësh, gazetarësh, njerëzish të thjeshtë dhe politikanësh. Qejfmbetjen e thotë shkoqur, kur shkruan: Sa e gënjeshtërt është kjo thënie përgjithësuese, kaq trishtueshëm dhe e pavend. Krisafi e di se në atë fillim dramatik të ububushëm për diplomacinë dhe krahun studimor shqiptar, nuk mund të kish akt më të turpshëm dhe unik në botë. Nuk u pa në skenë asnjë specialist, asnjë kontribut teknik.
Zoti kolonel në lirim, duket qartë se gjithë shqetësimi juaj ka të bëjë me faktin se ti kërkon që gjithçka që u bë për hedhjen poshtë të marrëveshjes detare me Greqinë, të mbetet ekskluziviteti yt, si kopshti në shtëpinë e Kremenarit. Eshtë fakt se ti ke meritat e tua të padiskutueshme në debatin publik për sensibilizimin e opinionit, për mbrojtjen e çështjes së kufirit detar me Greqinë, të cilat nuk ti ka mohuar askush, unë aq më tepër. Por ti nuk ke të drejtë që atë çështje madhore ta monopolizosh, ta privatizosh dhe ta mbash për vete, duke vënë në dyshim dhe duke mohuar kontributet e të tjerëve që bënë aq sa mundën dhe ashtu siç ditën. Ju nuk duhet që, jashtë kufijve të arsyes, të hidhni poshtë, madje me ilaritet mediatik, kontributin e atyre njerëzve, që çmuan se e rëndësishme ishte mbrojtja e kësaj çështjeje madhore kombëtare duke vepruar në kohën dhe në vendin e duhur.
Përmendni në mënyrë selektive emrin e kolegut dhe mikut tim Pëllumb Xhufi, përmendni emrat e Armand Vinçanit, Veli Llakajt, Lisen Bashkurtit. Por këtyre ju duhen shtuar edhe emrat e prof. Arben Putos, të Agron Alibalit, Viola Trebickës, pa dyshim të kolegëve të rinj dhe të talentuar, Saimir Tahirit e Damian Gjiknurit, të politikanëve Sabit Brokaj, Erjon Braçe, Erjon Veliaj, Kreshnik Spahiu, Pajtim Bello, të ish- ushtarakëve Besnik Bakiut, Vladimir Beja dhe Qazim Lilaj, analistëve Fatos Lubonja, Aleksandër Çipa dhe Adri Nurellari, si dhe të dhjetëra të tjerëve, që iu bashkuan një fronti të gjerë njerëzish të ndershëm për të mos lejuar copëtimin e atdheut.
Dalja në dritë e të vërtetës rreth paktit detar realisht nisi me një alarm të lëshuar nga gazetarët Anila Basha dhe Tedi Blushi, të cilët me preokupim të sinqertë investiguan me profesionalizëm të spikatur zbuluan të vërtetën përvëluese dhe e bënë publike në Gazetën Shqiptare, të nesërmen e nënshkrimit të marrëveshjes, më 28 prill 2009. Në këtë fushatë të paparë mediatike krahas tyre u angazhuan jo pak gazetarë të tjerë, djem e vajza të rinj, të talentuar dhe atdhetarë,të cilët gjatë një periudhe dy tre-vjeçare, shkruajtën mijëra faqe në mbrojtje të interesave kombëtare, kontribut që nuk mund tua mohojë dhe as tua përvetësojë askush dhe për të cilin meritojnë homazhe pa fund.
Ti, zoti kolonel në lirim, përtej kornizave të etikës dhe racionalitetit të komunikimit publik, përpiqesh të sajosh të paqena e të pavërteta, rreth qëndrimit dhe punës sime në kohën e shqyrtimit të marrëveshjes në fjalë në panelin e Gjykatës Kushtetuese dhe më parë.
Duket qartë se ne qëndrojmë në dy antipode. Ti kërkon të imponosh protagonizmin tënd në vlera artificialisht të shtuara apo të fryra, të lidhura edhe me ambiciet e tua politike, duke ju kundërvënë, injoruar dhe denigruar kontributet e të tjerëve. Unë, ndryshe nga ti, e ve veten në një radhë me ekipin që kontribuuam juridikisht dhe politikisht me përkushtim, përgjegjshmëri, atdhetari, energji dhe punë të jashtëzakonshme, në ato ditë e net të fundvitit 2009, që Gjykata Kushtetuese të merrte atë vendim historik.
Ky është pretendimi im modest dhe aspak roli i protagonistit, të cilin, me sa po shoh sot, e rivendikon tërësisht ti, dhe kësaj here, pa të drejtë.
Për dijeninë tënde, kam qenë i angazhuar në mbrojtje të interesave kombëtare që në ditët e para kur çështja e paktit detar u shfaq në publik. Marrëveshja u nënshkrua në fund të prillit 2009. Në ditët e para të majit i kërkova takim z. Bamir Topi, z. Sali Berisha dhe z. Edi Rama. U takova vetëm me këtë të fundit dhe pak minuta në një pritje me ish- presidentin Topi.
Në një nga të përditshmet e asaj kohe thuhej shprehimisht: Në mesin e muajit maj të vitit 2009 filloi të fashitej problemi i vijës kufitare detare për shkak të fushatës së egër zgjedhore. Pas denoncimeve të bëra nga mediat, në debat u përfshinë Pëllumb Xhufi, Ksenofon Krisafi, Arben Puto e shumë të tjerë, dhe në krye të kundërshtarëve të zellshëm, koloneli në lirim, Myslym Pashaj.
Edhe pse lista është e paplotë, ajo të përfshin edhe ty.
Për angazhimin tim, në të ashtuquajturin opinion të trishtuar thua: Ndërkaq më pas u njoha edhe me profesor Krisafin, i cili ishte njeriu që bartte vlera njohëse shumë kompetente të së drejtës ndërkombëtare, kontributi i të cilit në materialin e përgatitur për Gjykatën Kushtetuese ishte themelor.
Po të kujtoj se vlerësime të tilla, akoma edhe më superlative, mi ke bërë që në dhjetorin e vitit 2009, në e-mailin me titullin Ra ky ratifikim dhe u pamë, që ma ke dërguar më 16 dhjetor 2009 në orën 1:22:52 PM.
Aty thua: I dashur Ksenofon, Ra ky Ratifikim dhe u pamë! Të uroj shumë. Konsiderata për këtë njohje të vonët, por në kohë të duhur, në këtë Shqipëri të çuditshme në të cilën jetojmë. Përkushtimi jot në çështjen e Detit dhe mbrojtjen e saj në Kushtetuese e dha një rezultat pa marrë parasysh se çvendim do të merret. Djemtë ishin zhivë se zhivë ishin dituritë dhe përvoja jote… Me respekt të epërm, Pasha.
Siç të kujtohet, e-maili ka të bëjë me zhvillimin e seancës në Gjykatën Kushtetuese, ku djemtë, që ishin Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri, përballuan me sukses të admirueshëm mbrojtjen juridiko-kushtetuese dhe juridiko-ndërkombëtare të çështjes tepër delikate e të vështirë, duke shpalosur aftësitë e tyre profesionale dhe duke u mbështetur në një material voluminoz të përgatitur nga grupi i punës i përbërë nga specialistët më të mirë të vendit, brenda e jashtë Shqipërisë, përf