Qeveria e re si produkt shqiptar
Ka një perceptim të gabuar se krijimi i qeverive do të thotë, zgjedhja e më të mirëve për të na qeverisur. Në politikë nuk ka vend për dishepuj, politika është profesion, konkurrencë dhe kompromis, dhe si e tillë, gjithnjë ka vend për zgjedhje pozitive e negative, për kritika, sugjerime, vlerësime, besim dhe skepticizëm. Ndaj krijimi i një qeverie nuk finalizon procesin e përzgjedhjes së dishepujve, më të mirëve, më të aftëve, por një proces kompleks kompromisesh të shumta, preferencash, marrëveshjesh dhe perceptimi. Pjesë e procesit nuk është e gjithë shoqëria, nuk janë të gjithë qytetarët, por janë produktet e vullnetit të tyre politik të shprehur përmes zgjedhjeve. Një palë humbet dhe largohet, një palë fiton dhe qeveris. Të dyja palët janë tokësore, përbëhen nga shqiptarë, janë produkt i të njëjtit mjedis politik, me pak dallime edhe të të njëjtit sistem emërimi politik dhe të të njëjtave standarde të mendësive dhe sjelljeve politike. Kur votuesi zgjedh më të mirën midis dy alternativave, atëherë edhe ekzekutivi vendimmarrës është produkt i më të mirës, por kur votuesi zgjedh të keqen më të vogël, siç ndodh rregullisht në Shqipëri, midis dy alternativave gjysmake, atëherë edhe produkti kaq shansin të jetë e keqja më e vogël.
E tillë është edhe qeveria e re e shpallur pak ditë më parë nga kryeministri në pritje, Edi Rama. Një listë emërore me dy nivele: risi eksperimentale me listën e propozuar në emër të PS, dhe një listë e provuar e propozuar nga aleati kryesor politik, LSI. E para është produkt i mandatit direkt qeverisës, e dyta produkt i kushtëzimit politik. E para vjen në emër të nevojës për rilindje, ndryshim, reforma, e dyta vjen në emër të stabilitetit, vazhdimësisë, kompromiseve. Në mënyrë simbolike njëra palë duket se tenton të paraqesë Shqipërinë sesi duhet të jetë, tjetra Shqipërinë sesi është, njëra palë emra ku nuk mungojnë diploma të njohura perëndimore, tjetra me emra ku nuk mungon shkolla e natës dhe korrespodenca e fillimeve të tranzicionit. Gjithsesi asnjëra listë nuk mund të mbijetonte e vetme, të dyja kanë pas tyre 83 vota mbështetëse dhe një projekt politik afatgjatë, që lidhet me ekzistencën dhe mbijetesën e detyruar të dy partnerëve të vjetër dhe të rinj qeveritarë.
Në praktikat politike të sistemeve republikane ka disa mënyra të krijimit të kabineteve: me votim alternativ midis emrave pretendentë (e praktikoi I.Qemali më 1912), me përfaqësim në nivele të larta politike (e praktikoi Nano më 1997), me prurje të reja pa eksperimente ekzekutive por me mbështetje të madhe politike (e provoi Berisha më 1992), me kombinime midis të vjetërve e të rinjve (Meksi më 19966, Meta më 1999 dhe Berisha më 2005), me prurje jashtë skalioneve të debatueshme publike (Zog më 1936), me përzgjedhje personale të stafit ekzekutiv (Nano më 2004) ose me kushtëzim politik me aleatët (Berisha e Meta më 2009). Asnjë model nuk përmendet në statutet e partive tona politike, asnjëri model nuk është prefekt, të gjitha kanë bilance pozitive e negative, ndaj edhe kabineti aktual nuk ofron 100% një model të ri, përveçse një përzierje midis këtyre modeleve të tranzicionit ose periudhës së mëparshme historike.
Referuar përvojës së freskët, në ndryshim nga viti 1997 apo 2005 kur qeveritë e para të rotacionit politik u dominuan nga figura me përvojë politike, kabineti i ri, sidomos lista e dalë nga PS, dominohet nga prurje të reja. Vetëm kryeministri dhe ministri i tij i financave kanë qenë më parë ministra, të tjerët shkojnë në një post ministror për herë të parë. Kjo përbën njërën prej risive thelbësore të kabinetit të ri. Siç përbën risi shpallja një muaj përpara mandatimit, përfshirja e një numri rekord femrash në kabinet, bashkëdrejtimi i qeverisë nga dy ish kryetarë bashkie, ndarja e mandateve parlamentare me portofolin ekzekutiv, lënia jashtë e PBDNJ dhe aleatëve politikë, apo projekti publik për të reformuar tërësisht elitën politike të Partisë Socialiste. Procese të njëjta kaluan edhe vende të tjera ish komuniste, përfshirë Bullgarinë, Rumaninë, Kroacinë, Slloveninë, ku zëvendësimi i elitës politike u krye përmes zgjedhjeve popullore dhe reformimit të përbërjes ekzekutive.
Vetë PS ka provuar edhe më parë eksperimente politike: kryeministra e ministra të rinj, madje edhe nën 30 vjeç, siç ka provuar qeveri akademike dhe në dy rastet qeverisja reflektoi probleme të mëdha dhe degjeneroi në korrupsion. Edhe PD më 2005 emëroi katër ministra pa përvojë ekzekutive, dhe sot njëri prej tyre është kryetar zyrtar i kësaj partie. Kontraste gjenden kudo: Pele ka një qenë e mbetet një sportist i papërsëritshëm, por si ministër i Kulturës dhe Sporteve në vendin e tij nuk pati ndonjë sukses, përkundrazi. Andreoti ishte personaliteti politik më ekzekutiv në kabinetet italiane, por skandalet dhe akuzat ekstreme e shoqëruan deri në ndarjen nga kjo botë. Janë të shumta argumentet për të vërtetuar se mosha, profesioni, përvoja apo gjinia nuk janë parakusht për sukses/dështim. Qeverisja është art, kërkon cilësi të tjera, sidomos integritet, aftësi dhe vizion, – elementë përcaktues për kulturën politike dhe staturën e çdo politikani. Gjithsesi, treguesit teknikë të ministrave aktualë janë tregues të mentalitetit mbi të cilën krijohet qeveria dhe pritshmërive të titullarit të saj. Dhe kryeministri i ri synon, siç dëshmoi vetë për median, të lerë emër pozitiv në histori. Ai pretendon se do jetë kryeministri më i suksesshëm, gjë që zakonisht e thotë çdo kryeministër kur zgjidhet, por që nga të gjallët tanë, asnjëri prej tyre ende nuk e ka arritur.
Eksperimenti me emra të rinj përbën guxim, kurajë dhe personalisht e shoh zhvillim pozitiv. Pozitive është përzgjedhja edhe e disa emrave qytetar e moderator në politikë, struktura e re e qeverisë si dhe një rritje e vëmendjes publike për ta lexuar e gjykuar që tani performancën e qeverisë dhe akteve të saj zyrtare e publike. PS nuk ka ende një model se kujt dëshiron ti ngjajë, por e di tashmë se kujt modeli nuk do ti ngjajë. U nda prej modelit Nano dhe tani kërkon ndarje nga modeli Berisha, të dyja produkte të të njëjtit sistem abuziv. Me 23 qershor pasi votë masive kundër kabinetit të djathtë, ku 5-6 emra dominuan ekzekutivin për 8 vjet dhe ku kryeministri ishte një hap drejt vetëshpalljes monark. Vota kundër arrogancës, korrupsionit, moçalit politik me rotacion postesh midis pak emrave si dhe kundër njësimit të pushteteve nën një pushtet, i dha shansin PS të vijë në pushtet thuajse me të njëjtin numër mandatesh si më 2009. Kjo i jep të drejtë kreut të ri ekzekutiv që brenda familjes politike të zgjedhë vetë ekipin e tij, të mos ketë ministra të imponuar, rivalë brenda kabinetit apo figura që mund të komprometojnë pa fil
