Po mbyllet historia empirike
Historiani Dritan Egro, edhe një herë, diskuton për një nivel tjetër bashkëkohor të studimeve shqiptare sidomos për Skënderbeun dhe kohën e tij. "Historia empirike e Skënderbeut është shkruar, por varet shumë edhe nga pyetjet që ne iu bëjmë burimeve."
Tryeza Shkencore "Skënderbeu dhe koha e tij" e organizuar nga Instituti i Historisë dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u mbajt në kuadrin e 565-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.
Janë përvjetore që u japin rast më shumë ekzigjentëve shkencorë të flasin për problemet e vjetra në fushën e historigrafisë, sadoqë nuk mund të thuhet se ekziston sot në Shqipëri një brez i ri historianësh në konflikt apo që në formë të hapur nuk bie dakord me brezin që ka shkruar tashmë historinë.
Historiani Dritan Egro, edhe një herë, diskuton për një nivel tjetër bashkëkohor të studimeve shqiptare sidomos për Skënderbeun dhe kohën e tij.
Ka pak kohë që opinioni publik po shprehet nga diskutimet në shtyp mbi heroin. Çfarë kanë për të shtuar historianët në këtë tryezë mbi Skënderbeun dhe kohën e tij?
Këtu specialistët paraqitën mendime nga qëndrimet apo studimet e tyre më të fundit ndaj periudhës së Skënderbeut.
Këndvështrimi im është që të gjithë, shqiptarë e të huaj - madje këtu tregohet edhe kompetenca e tyre - duhet t'i përdorin të gjitha burimet nga çdo lloj kancelarie që ka ardhur për Skënderbeun, qoftë burimet shqiptare me në krye Marin Barletin, burimet latine të të gjithë spektrit, sllave, bizantine, patjetër dhe ato osmane.
Pse thoni "duhet"?
Sepse është domosdoshmëri për ta profiluar në mënyrë të plotë figurën e Skënderbeut. Madje sot theksova që për marrëdhëniet e Skënderbeut me shtetet italiane, dokumentet osmane nuk mund të japin më shumë se sa dokumentacioni italian, por e njëjta gjë duhet thënë dhe për dokumentacionin osman për periudhën që Skënderbeu ishte pranë oborrit të Sulltanit.
Pra burimet duhen përdorur me shumë kujdes sepse kronikat e të gjitha krahëve janë po ato.
Historia empirike e Skënderbeut është shkruar, mund të plotësohet me dokumentacion të ri - këtë nuk e diskutoj - por burimet mund të flasin me tjetër gjuhë, varet shumë edhe nga pyetjet që ne u bëjmë burimeve.
Cilat janë pyetjet më themelore për burimet?
Mund të them që ka kronika osmane që nuk janë vlerësuar si duhet. Njëra prej tyre thotë që nuk ishte vetëm Skënderbeu ai që u kthye dhe braktisi të ardhmen pranë osmanëve. Ka qenë edhe Milos Obilic-i personi që ka vrarë Muratin I gjatë betejës së Kosovës sipas një indikacioni osman.
Ka pasur edhe personalitete të tjera që kanë bërë rezistencë kundër osmanëve që e kanë njohur Sarajin osman dhe kanë qenë edhe atje.
Ky model ka ekzistuar edhe më parë sepse qëllimi i luftës kundër osmanëve ishte i njëjti, të gjithë luftonin mos të pushtoheshin nga perandoria osmane.
Vepra e fundit mbi temën në fjalë, Skënderbeun dhe kohën e tij, është e Oliver Schmitt-it. Çfarë kontributi ka për historigrafinë kjo vepër e sulmuar dhe e paragjykuar?
E kam ndjekur debatin, dhe së pari vlerësoj shumë studimin, e quaj një studim bashkëkohor. Unë sot diskutova në këtë tryezë temën studimet për Skënderbeun përballë sfidave të reja.
Për mua po mbyllet gradualisht një fazë e studimeve empirike. Tashti dhe Skënderbeu duhet të futet në orbitën e studimeve moderne bashkëkohore ndërkombëtare. Pra duhen përdorur metoda dhe teknikat moderne, sepse vetëm kështu do ta plotësojmë kuadrin në të gjithë dimensionin.
Si do të operonte metoda moderne e historisë për këtë periudhë?
Duke formuluar pyetje të reja për të njëjtat burime, burime të vjetra, në qoftë se nuk kemi të reja.
T'i bëjmë të flasin ndryshe nga ç'jemi mësuar deri më sot. Unë solla një shembull, një burim, një letër pa datë e një sanxhak-beu osman, është botuar që në vitin 1974, është përkthyer literalisht por nuk është analizuar nga pikëpamja diplomatike dhe nuk është vendosur në kontekstin e historisë së institucioneve osmane.
Aty ka një shprehje "I dalë nga saraji". Çdokush mund ta lexojë i dalë nga saraji si dikush që kishte qenë, erdhi dhe iku.
I dalë nga saraji përcakton statusin juridik që ka pasur në sarajin osman, brenda strukturës së shtetit osman, po dhe pretendimet e tij mbasi del nga ky saraj, se ku e kishte rangun dhe çfarë do të kërkonte në emër të shtetit osman. Kështu që varet se si do t'ua bëjmë pyetjen burimeve.
Është një pyetje për burimet origjina e Skënderbeut, për të cilën ka lënë shteg për diskutim vepra e Schmitt-it?
Unë nuk jam marrë në mënyrë ekskluzive me këtë temë. Pretendimi im është ky, si specialist i periudhës osmane dhe që jam marrë me kronikat osmane.
Ato në mënyrë të paekuivok thonë një gjë: ushtria jonë u fut në viset shqiptare, kur futet në viset e kastriotëve dhe thonë Jovan Kastrioti, princ i viseve shqiptare. Duhen akoma studime më të thelluara për të parë se çfarë kemi parasysh me këtë term.
Por nuk ekziston vetëm tek një kronikë... Është një temë e hapur, ka interpretime, do të ketë debate të reja. Por u duhen bërë pyetje shumë profesionale burimeve që flasin për këtë kohë.
Juve e keni mbyllur studimin mbi armët e heroit?
Jo, nuk mund të them jo, as për armët, as për vulën. Është një punë që duhet vazhduar dhe duhen hulumtime në muzetë e armëve kudo që janë nëpër Evropë.
Unë kam hamendësimet e mia, por duhet një studim si nga ana teknike, historike, si nga ana e historisë së artit. Pra, jo vetëm një specialist thotë fjalën e vetë. Sepse sa më i plotë të jetë mendimi aq më i shëndoshë është edhe gjykimi mbi këto objekte.
Për shembull: kam shkruar për një prej vulave të mëdha të Skënderbeut. Në dokumente thuhet se janë dy. Për faktin se nuk kam gjetur të dytën ende nuk mund të them se ato veçori që shoh tek e para - se ka shumë gjëra që janë të shuara - i kemi apo nuk i kemi te e dyta.
A mund të plotësojnë njëra-tjetrën dhe të japin një imazh të përbashkët apo kemi vetëm një? Që në 2005 unë kam hedhur një ide për vulën dhe e kam publikuar dhe si është ndërtuar nga pikëpamja gjuhësore. Kaq sot për sot. Duhet të vazhdojmë studimet.
Si e komentoni ju ndjeshmërinë e publikut ndaj tezave që hedh sidomos ndonjë historian i huaj?
Absolutisht jam tërësisht kundër. Çdo vepër që i shtohet arealit të studimeve për Skënderbeun dhe që ka gjëra të reja është një kontribut, por prapë mbetem tek ajo që duhet të jemi gjithëpërfshirës dhe shterues.
Përse nuk i përgjigjen tekstet shkollore të historisë kësaj ekzigjence shkencore?
Ky mendoj se është një debat tjetër. Deri tani folëm për nivelin shkencor të gjërave. Niveli i edukimit është tjetër.
Megjithatë sa më i shëndoshë dhe shkencor të jetë niveli i diskutimit, aq më i shëndoshë do të zbresi dhe në nivelet e tjera të edukimit. Historigrafia shqiptare duhet të ngrihet në ato nivele bashkëkohore që punon bota. Pa u ngritur në ato nivele, nuk mund të konkurrojmë denjësisht dhe të themi fjalën tonë në arenën ndërkombëtare.
Çfarë premisash ka nivel i historiografisë shqiptare ndaj të cilës ju keni qenë kritik.
Mendimet i kam shprehur tek libri Historia dhe ideologjia dhe qëndrimi që është mbajtur ndaj periudhës osmane.
Është një qëndrim kritik në sensin e vlerësimit dhe çfarë duhet të bëjmë për të ecur përpara.
Jam partizan i atyre gjërave që i konsideroj arritjet e sotme të shëndosha, por që duhen çuar dhe më përpara, prandaj dhe titulli i diskutimit të sotëm ishte përballë sfidave të reja. Jemi vetëm në fillim të trajtimit shkencor të nivelit të lartë në figurën e Skënderbeut.