Fier, mbi 350 femra të trafikuara 5 vitet e fundit
FIER - Përgjatë 5 viteve të fundit, më shumë se 350 femra rezultojnë të jenë bërë pjesë e trafikut në rrethin e Fierit.
Të dhënat më të fundit të cilat u publikuan në qytetin e Fierit fill pas një sërë trajnimesh të iniciuara nga zyra e koordinimit për luftën kundër trafiqeve të paligjshme të qenieve njerëzore, kanë nxjerrë në pah se vajzat që kanë rënë pre e trafikut, kanë qenë kryesisht vajza të moshave të vogla.
Por nuk janë vetëm këto që kanë rënë pre në këto vite e trafiqeve. Në këtë bosht përfshihen edhe vajzat që jetojnë në zona të thella rurale, vajzat që nuk e kanë mundësinë e shkollimit, si dhe vajzat me probleme socialo-ekonomike të dukshme. Nga fenomeni i mësipërm janë prekur zona e Ballshit, Roskovecit, Patosit, si dhe disa zona rurale në disa komuna të qarkut Fier.
Së fundmi, janë njësitë vendore ato që po marrin masa për parandalimin e vajzave që bien viktima të trafikut. Edhe bashkia Fier po harton një plan masash që do të mundësojnë ndihmë finaciare dhe mbështetje morale për vajzat me probleme në familje.
-------------------------------------------------------------------------------------
Nëna denoncon: Vajzën ma kanë rrëmbyer për trafikim
PEQIN- Një nënë 53-vjeçare është paraqitur mëngjesin e djeshëm në komisariatin e policisë Peqin ku ka denoncuar për trafikimin e vajzës së saj nga një shtetas nga Durrësi.
Liri Pushka , 53 vjeç me banim në fshatin Gjocaj të Peqinit ka deklaruar se në 2 mars rreth orës 09:00 vajza e saj 29-vjeçare është larguar nga shtëpia. Ajo ka shtuar se e bija është larguar me shtetasin Seit Biba, 47 vjeç me banim në Durrës.
Policia ka bërë shpalljen në kërkim të shtetases, ndërkohë që i ka kaluar komisariatit Durrës kallëzimin për shtetasin Seit Biba. Të dhënat e dy personave i janë shpërndarë edhe komisariateve të tjera.
Biba dyshohet për veprën penale të "trafikimit të femrave". Me gjithë verifikimet e para ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e 47-vjeçarit. Nëna ka thënë në dëshminë e saj se vajza ka marrë edhe dokumente.
Dyshohet se aktualisht vajza ka kaluar kufirin, por gjithsesi nga ana e policisë është lajmëruar policia kufitare dhe janë shpallur në kërkim të dy personat deri në sqarimin e plotë të marrëdhënies dhe të qëllimeve të 47-vjeçarit Biba.
Gruaja që jeton në varfëri në fshatin Gjoçaj ka pritur më kot 24 orë për kthimin e vajzës duke shkuar një ditë pas zhdukjes në polici. Ajo ka dyshime të forta.
----------------------------------------------------------------------
Do të kalonte para të padeklaruara në kufi, ndalohet
VLORË - Nuk ka zbatuar ligjin për deklarimin e parave që kishte me vete në dalje nga vendi ynë në portin e Skelës në Vlorë dhe tashmë do të ndiqet në gjendje të lirë. Kjo i ka ndodhur Kadri Trokës, 34 vjeç.
Rreth mesditës ai ka qenë duke hipur në një nga tragetet me linjën me Italinë. Në pikën e kontrollit kufitar i është kërkuar të bëjë deklarimin e shumës së parave që kishte me vete, gjë që nuk e ka bërë, ndërkohë që nga kontrolli i është gjetur një shumë prej 35 mijë eurosh.
-----------------------------------------------------------------------------------------------------------
Dy nën hetim për aktivitet të paligjshëm
BERAT - Policia ka vënë në pranga Ilir Karakashin, banor të lagjes "Tafil Skëndo" të Kuçovës, pasi po këmbente valutë në mënyrë të paligjshme. Pas një kontrolli të kryer në shtëpinë e tij, policia sekuestroi 6 mijë dollarë amerikanë dhe 4950 euro. Gjithashtu nga policia është ndaluar Erjon Aliaj, 33 vjeç, i cili po ndiqet në gjendje të lirë. Ai akuzohet për aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit, qendra e të cilave ishte një lokal në bashkinë e Urës Vajgurore. Si prova materiale Aliajt iu sekuestruan 12 pajisje elektronike e kompjutera.