Gërdeci, mbyllet komunikimi i akuzave
Dosja me të pandehur ish- ministrin e Mbrojtjes, Mediu, dhe ish- krerët e Ushtrisë pritet të niset në Gjykatë javën e ardhshme
Sot në Gjykatën e Lartë, pritet verifikimi i masës së arrestit ndaj inspektorit të Ushtrisë, Ngjeçi, i arrestuar dy ditë më parë
TIRANË- Hetimet 12- mujore të shpërthimit tragjik në ish-repartin e tankeve në Gërdec zyrtarisht mbyllen nga Prokuroria e Përgjithshme.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët sqaruan se nga hetimet gati njëvjeçare, është arritur të identifikohen 28 persona, si përgjegjësit kryesorë për pasojat e shpërthimit të 700 tonëve barut në punishten e demontimit të municioneve në Gërdec mesditën e 15 marsit të 2008.
Sipas këtyre burimeve, të 28 të pandehurit ndaj të cilëve rëndojnë akuza të ndryshme, kanë ndikuar me veprimet dhe mos veprimet e tyre në shpërthimin tragjik të kësaj punishteje, që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur.
"Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, hetuesit e dosjes së Gërdecit kanë zbarkuar në qelitë e paraburgimit "Jordan Misja", në Tiranë, dhe në prani të avokatëve mbrojtës të tyre, kanë njohur të pandehurit Ylli Pinari e Mihal Delijorgji me aktet hetimore që ndodhen në fashikullin e hetimit prej 8 mijë faqesh", -thanë burime të akuzës.
Që nga data 20 shkurt, ditë kur është njohur zyrtarisht me aktet hetimore avokati i të pandehurit Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, grupi hetimor ka vazhduar me të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje, duke i njohur një nga një me të gjitha aktet e hetimit që ndodhen në fashikullin e dosjes.
"Ditën sotme (djeshme) grupi hetimor njohu me aktet e hetimit dy të pandehurit e fundit që nuk ishin njohur deri më tani me provat materiale, të pandehurit Mihal Delijorgji, si ish-administrator i kompanisë "Albademil" që kryente demontimin e municioneve të rënda e të lehta në këtë punishte, si dhe ish-drejtorin e ndërmarrjes MEICO të pandehurin Ylli Pinari",-thanë më tej burimet.
Sipas tyre, gjatë njohjes me aktet e hetimit, asnjëri nga të pandehurit Pinari e Delijorgji nuk kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre pas hetimeve gati 12- mujore. Kështu që me njohjen me aktet e hetimit nga 28 të pandehurit, Prokuroria e Përgjithshme do të përpilojë kërkesën për gjykim dhe brenda datës 15 mars, dosja do të përfundojë në duart e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Gjithashtu, këto burime saktësuan se paraditen e sotme pritet që para togave të zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë të paraqitet për verifikim mase edhe i pandehuri i katërt i arrestuar, shtetasi Sokol Ngjeçi, mbi të cilin rëndon akuza e "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personave" në bashkëpunim dhe "shpërdorimit të detyrës ushtarake".
Sipas prokurorisë, arrestimi i tij erdhi pasi u konstatua se nuk ka zbatuar detyrën e ngarkuar nga ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, për inspektimin e punimeve të demontimit të municioneve në punishten e Gërdecit.
"I pandehuri Sokol Ngjeçi ishte i ngarkuar nga ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, për të inspektuar kushtet e punës së demontimit dhe kushtet e ruajtjes së lëndëve plasëse të ardhura nga demontimi i municioneve të lehta dhe të rënda.
Por, nga hetimi 12 -mujor ka rezultuar se i pandehuri Ngjeçi jo vetëm që nuk ka inspektuar punimet në këtë repart, por edhe nuk ka raportuar asnjëherë se çfarë po bëhej në këtë punishte, duke u bërë një nga shkaqet e pasojës së ardhur më pas, duke shpërthyer i gjithë baruti i mbledhur aty që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur",-thanë burimet.
Mësohet sipas këtyre burimeve, se gjatë paradites së sotme pritet që gjyqtarja Fatmira Hajdari të shqyrtojë vlerësimin e masës së sigurisë dhënë në mungesë me "arrest me burg".
AKUZA
I gjithë procesi i parregullt administrativ, i urdhëruar nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka mundësuar ndërmarrjen MEICO dhe kompanitë "SAC-ALBADEMIL", të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard të sigurisë në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces.
Hetimet e kryera dërgojnë në konkluzionin se shkeljet e lartpërmendura të akteve ligjore dhe nënligjore, shkelja e rregullave të sigurimit teknik në procesin e magazinimit të municionit, në procesin e çmontimit dhe administrimit të produkteve të dala nga ky proces, kanë sjellë shkaktimin e zjarrit të pasuar me shpërthimet masive, duke shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje",-thuhet ndër të tjera nga dosja hetimore që shumë shpejt do t'i dërgohet Gjykatës së Lartë për gjykim.
Pasojat e shpërthimit të ndodhur më 15 mars 2008
TIRANË- Nga hetimi i çështjes është provuar dhe vërtetuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë.
Ndërsa, si pasojë e shpërthimit në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, i akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kap vlerën e 2.039.216.418 lekë të reja.
Gjithashtu, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin e shoqërisë dhe më gjerë.