Gruaja e fortë e Kosovës
Shumë fjalë të mira u thanë të hënën për Nekibe Kelmendin, deputeten e Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministren e Drejtësisë, e cila pas një sëmundjeje të rëndë, vdiq të dielën, në moshën 67-vjeçare. Në tubimet e organizuara, nga miq, kolegë e bashkëveprimtarë të saj u tha se veprimtaria shumëvjeçare e Kelmendit ndërlidhet me të mirën e këtij vendi, lirinë dhe të drejtat e njeriut. E bija e Kelmendit, Kosovarja, para të pranishëmve çoi në vend amanetin e fundit të nënës së saj.
“Derisa pati forcë dhe ishte e vetëdijshme, më ka lënë një porosi, të cilën tani do të shfrytëzoj rastin t’ua përcjell dhe më ka thënë: ‘Bija ime, gjeje mënyrën si të duash, i bën të fala gjithë Kosovës”, tha me lot në sy ajo.
E, këtë porosi, përveç qytetarëve, e dëgjuan edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, të pranishëm në këtë rast morti. Presidentja Atifete Jahjaga tha se deputetja Kelmendi, të cilës forcat serbe në vitin 1999, ia vranë bashkëshortin, avokatin e njohur Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e saj, Kushtrimin e Kastriotin, gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e Kosovës. “Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, tha Jahjaga.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ndërkaq, duke vlerësuar lart veprimtarinë e deputetes së ndjerë, tha se LDK’ja humbi njërën prej veprimtareve më të spikatura të saj. “Ne po e nderojmë gruan e fortë të Kosovës, Nekibe Kelmendin, gruan që këtij vendi ia dhuroi fëmijët e dashur të saj, në lulen e rinisë, bashkëshortin e saj, që këtij vendi ia dhuroi dijen dhe përkushtimin e saj, ia fali forcën e saj mbinjerëzore, gruan që tërë jetën u shqua për dinjitet dhe stoicizëm”, tha Mustafa.
Para se të mbahet akademia përkujtimore, institucioni më i lartë i shtetit, Kuvendi i Kosovës, u mblodh dhe mbajti një minutë heshtje në një seancë komemorative. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në fjalën e tij tha se deputetja Kelmendi kudo që angazhohej, shquhej për profesionalizëm, qëndrim parimor dhe vullnet të hekurt.
Sipas Krasniqit, Nekibe Kelmendi, bashkë me bashkëshortin e saj, Bajramin, në kohë të vështira për Kosovën mbrojtën të drejtat individuale dhe kolektive të qytetarëve dhe e bënë të njohur në botë gjendjen e rëndë në vend.
Sabri Hamiti, në emër të LDK’së, theksoi se Kelmendi i ka përmasat e një personaliteti politik rugovian. Ai e krahasoi atë me ish-presidentin Ibrahim Rugova, duke thënë se ajo ishte bashkëpunëtore dhe bashkudhëtare e pandashme e tij.
Pas seancës komemorative, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të tjerë bënë homazhe pranë arkivolit të deputetes së ndjerë, që ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe u shprehen ngushëllime familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Nekibe Kelmendi u varros të hënën, në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Biografia
Nekibe Kelmendi u lind më 12 maj 1944 në Pejë. Ajo ishte deputete e Kuvendit të Kosovës në të gjitha legjislaturat deri në çastin kur ndërroi jetë. Punoi shumë si anëtare e Grupit të ekspertëve në Grupin politik strategjik të Grupit të Unitetit për negociata për Kosovën, ndërkaq ishte nënkryetare e Komisionit kushtetues të Kosovës. Kelmendi ishte veprimtare e shquar e organizatave të grave, prandaj, si e tillë, ajo ishte edhe bashkëthemeluese e Lobit të Grave për Evropën Juglindore. Nga 1 janari 2000 deri në nëntor 2001, ishte bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë të UNMIK-ut. Ishte ministre e Drejtësisë nga 1 janar 2008 deri më 31 mars 2010. Pas asaj kohe, vazhdoi profesionin e avokatisë. Nekibe Kelmendi ishte autore e shumë shkrimeve profesionale nga fusha e të drejtave të njeriut mbi gjendjen në Kosovë dhe fusha juridike. Asaj gjatë luftës, nga okupatori serb i është vrarë bashkëshorti së bashku me dy djemtë e saj. Ndërkaq telegrame ngushëllimi familjes Kelmendi i kanë shkuar nga të gjitha institucionet e vendit, partitë politike e më gjerë.
Ceremonia e varrimit
Në ceremoninë e varrimit të Kelmendit, Presidentja Atifete Jahjaga tha se ajo la një vepër udhërrëfyese për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të dinjitetshme dhe prosperuese, në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se Kelmendi shquhet si një politikane që promovoi profesionalizmin edhe në jetë, edhe në politikë. Sipas tij, ajo punonte shumë që edhe problemet politike të zgjidhen nëpërmjet drejtësisë. Deputeti i LDK-së Sabri Hamiti, ndërkaq,tha se Kelmendi ishte një grua e madhe e Kosovës.