E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania do të angazhohet për përmbylljen e procesit të njohjeve

Nga Express më 20 qershor 2011 në ora 18:00

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Luksemburg është takuar të hënën me Ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington.

Ministri britanik ka shprehur përkrahjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për shtetndërtimin e gjithanshëm të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në aspektin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Lidington ka thënë se Qeveria britanike do të angazhohet fuqishëm brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, për përmbylljen e suksesshëm të procesit të njohjes së Kosovës.

Ai është zotuar për ndihmë konkrete edhe në avancimin e aspekteve të tjera të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë pjesëmarrjen në nisma dhe anëtarësimin e plotë në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne do të mbështesim Republikën e Kosovës që të ketë sa më shumë njohje dhe të jetë pjesë e nismave rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë Lidington.

Ministri britanik, po ashtu, ka kërkuar rezultate konkrete nga dialogu teknik mes Kosovës dhe Serbisë i cili po zhvillohet në Bruksel, duke shprehur qëndrimin se procesi i integrimit të Serbisë në BE mund të bëhet vetëm në rast se ky shtet do të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka informuar Ministrin Lidington për progresin e vazhdueshëm të Kosovës, reformat e brendshme shtetndërtuese dhe avancimin permanent të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Hoxhaj ka kërkuar nga Ministri Lidington vazhdimin e përkrahjes së jashtëzakonshme të Mbretërisë së Bashkuar në procesin e njohjeve për Republikën e Kosovës, në proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat e tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Ministri Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në punimet e Forumit për Ballkanin Perëndimor në Luksemburg, ku është ftuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, po zhvillon takime të frytshme me shumë ministra të Jashtëm të vendeve të BE-së , të vendeve të rajonit dhe përfaqësues të tjerë të lartë evropianë, të pranishëm në këtë Forum.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›