Po nisë Superliga, Vokrri me plot shpresë

Superliga e Futbollit Kosovar do të rikthehet me emocionet e saj në këtë javë. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri është me plot shpresë se ky do të jetë edicioni i fundit që skuadrat kosovare nuk do të mund të garojnë në garat evropiane.
Në një intervistë për Indeksonline, Vokrri ka thënë se Federata është e gatshme për sfidat e fundit dhe se pritet një edicion i suksesshëm në futbollin kosovar.
"Tashmë drejtuesit e klubeve i din detyrat e tyre dhe nga viti në vit ka përmirësime. Trajnerët do të bëjnë punën e tyre profesionale e futbollistët do të shpalosin gjithë dijen e tyre në fushën e gjelbër për të arritur rezultate që do të jenë si rezultat, i cilësisë, angazhimit dhe i korrektësisë. Gjyqtarët ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale pa anime duke shikuar vetëm dy ngjyra në terren, duke respektuar angazhimin që tregohet e dëshmohet fushë. Për të arritur qëllimin, nevojitet punë dhe vetëm punë profesionale, disiplinë dhe respekt ndaj secilit.
Jam shumë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë sidomos atë financiare më të cilën po përballemi të gjithë, por po ashtu jam i sigurt se ashtu siç kemi përballuar edhe situata më të vështira në të kaluarën edhe tash do të tejkalojmë vështirësitë. FFK-ja do të punojë njësoj për të gjithë anëtarët e saj dhe do të bëjë çmos që askush të mos ndjehet i privilegjuar dhe askush i anashkaluar.
Që nga shtatori na presin takime të rëndësishme ne UEFA-n dhe FIFA-n dhe se ky edicion pritet të jetë i fundit që skuadrat kosovare nuk do të jenë në garat evropiane. Brenda këtij edicioni ne presim që të marrim përgjigje pozitive nga intancat e futbollit evropian dhe botëror" deklaroi Vokrri. /Indeksonline/