Apolonia kampionia e miqësoreve, goleadë edhe ndaj Himarës
Te fierakët ka optimizëm për ngjitjen në kategorinë Superiore, por Demiraj kërkon ti mbajë me këmbë në tokë lojtarët e tij, sepse nuk do të jetë një sezon i lehtë në Kategorinë e Parë, aq më shumë që ngjiten vetëm dy
APOLONIA - HIMARA 5 - 2
APOLONIA: Çako, Nako, Atanda, Prifti, Broshka, Tripunovski, Papa, Dauti, An.Prifti, Adenkule, Vasilievski Trajner: E.Demiraj U aktivizuan: Sako, Naçi, Mahilaj, Hasa, Goxhaj, Dekavelli, Hazizaj
Himara: Bubeqi, Mehmeti, Guga, Metaj, Hametaj, Xhardeli, Gega, Veshaj, Dervishi, Xhunjior, Dhima Trajner: R.Nenaj U aktivizuan: Bifsha, Xhelili, Banushi, Gjondeda, Avdullai, Straka.Trajner: R.Nenaj.
Gjyqtarë: E.Ruci, A.Grabova, E.Bega (Fier)
Shënues: Dauti 9, Nako 22, Naçi 54, An.Prifti 74, Goxhaj 83/Dhima 31, 67
Apolonia është kthyer në një kampione e ndeshjeve miqësore, teksa ka mundur dhe Himarën, në ndeshjen e luajtur të mërkurën pasdite, në stadiumin Loni Papuçiu të Fierit. Të dy ekipet e kishin vlerësuar këtë ndeshje.
Kjo bëri që trajnerët të hidhnin në fushën e lojës, që nga minuta e parë, formacionet e tyre më të mira. Apolonia fillon gradualisht të fitojë epërsi ndaj kundërshtarit dhe ta zhvendosë lojën në gjysmëfushën himariote.
Loja e fierakëve merr karakter tërësisht sulmues, duke e detyruar kundërshtarin të luajë me shumë lojtar në mbrojtje. Rastet për shënim janë të shumta dhe vetëm në të 9 ka ardhur dhe goli i avantazhit me autor Dautin, që është pasuar dhe nga ai i Nakos në të 22. Në të 31 ka ardhur dhe ngushtimi i rezultatit nga Dhima.
Pjesa e dytë, përtej zëvëndësimeve të shumta, ka pasur dhe gola të tjerë. Kështu në të 54, Naçi e ka çuar rezultatin në 3-1. Por sërish Dhima, në të 67, e ka mbajtur Himarën në lojë, duke ngushtuar në 3-2.
Dhe fundi i lojës me An.Priftin në të 74 dhe Goxhajn në të 83 ka vulosur rezultatin e ndeshjes në 5-2 për Apoloninë, që vazhdon ti vërë të gjithë kundërshtarët përpara, të paktën në ndeshjet miqësore. Në përfundim të ndeshjes, trajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj, do të deklaronte:
Ekipi ka filluar të funksionojë si duhet dhe kjo na bënë optimist për të ardhmen e tij në kampionat. Megjithatë duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë se kemi ende shumq punë për të bërë në mënyrq që të arrijmq atë që dëshirojmë, pra ngjitjen në Superiore.
Në krahun tjetër, trajneri i Himarës, Roland Nenaj, nuk duket se është shumë i shqetësuar: Ishte thjesht një ndeshje miqësore, që na shërbeu shumë në drejtim të seleksionimit, por dhe për të parë formën e lojtarëve. Zhvilluam një pjesë të parë të mirë, kurse në të dytën, edhe për shkak të zëvëndësimeve të kryera, u ndëshkuam. Ngelet shumë punë deri në fillimin e kampionatit.
Nako: Ne pretendent kryesor
Gjatë një prononcimi, qëndërmbrojtësi fierak, Rudin Nako, që është kthyer dhe në golashënues të skuadrës në ndeshjet miqësore të kësaj periudhe, do të deklaronte: Ky sezon do të jetë i vështirë, pasi të gjitha skuadrat, sidomos ato që kanë zbritur nga Kategoria Superiore, do të bëjnë çmos për të treguar vlerat e veta.
Megjithatë ne nuk e vëmë në dyshim arritjen e objektivit që është ngjitja në Superiore. Pavarësisht se kemi pasur largime si Ribaj, Dushku, Muçaj, Ndoni, apo Cimili, megjithatë ne përsëri ekzistojmë si skuadër.
Jo vetëm kaq, por si të rinjtë e afruar nga Akademia Apolonia, apo dhe lojtarët e ardhur nga kjo merkato, kanë krijuar një Apoloni të fort. Dy maqedonasit Vasiliesvski e Tripunovski, apo dhe Broshka, Hasa e Goxhaj, që pritet të firmosin, do ta bëjnë Apoloninë më të fort. Ne do të jemi pretendentët kryesor për tu ngjitur në Superiore, ka thënë Nako.
