E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po politika e jashtme e SHBA-së?

Gjendja e rëndë ekonomike, kriza financiare dhe e huave, e kanë kthyer garën presidenciale në SHBA, në një përplasje për çështjet e brendshme. Politika e jashtme, që pritej të ishte një nga çështjet kryesore të fushatës – megjithëse jo kryesorja – tani duket se është ulur në ndenjësen e fundit.

Megjithatë, si analistët, ashtu edhe politikanët nga të dy kampet, thonë se ajo është ende e rëndësishme. Në fund të fundit, në këtë krizë globale ekonomike, marrëdhëniet ndërkombëtare kanë provuar se janë kyçe për t’i dhënë zgjidhje krizës më të fundit financiare. Dhe çështjet e luftës në Irak, e Afgansitan, me siguri që do të dalin në prominencë gjatë ditëve në vazhdim, deri në zgjedhjet e 4 nëntorit.

Të dy kandidatët, senatori republikan John McCain-i dhe senatori demokrat Barack Obama, janë përplasur disa herë për çështjet e politikës së jashtme. Ata janë përplasur për strategjinë në Irak, kanë mendime të ndryshme për bashkëpunimin ndërkombëtar për krizën enegjetike dhe klimën.

Por, siç u vu re edhe në debatin e fundit televiziv, çështjet e brendshme, ekonomia, eklipsuan plotësisht çështjet e politikës së jashtme dhe atë të luftës, që lidhet ngushtë me të.

Por pse ka ndodhur kjo? Kandidati republikan në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve ne Kolorado, Ken Summers-i, thotë se njerëzit kanë tendencë të lexojnë gazetat dhe ekonomia ka qenë në fokus, çështja më e nxehtë politike. “Megjithatë, nuk pritej që politika e jashtme dhe lufta në Irak, të ishin aq kritike sa ishin dy vjet më pare,” - thotë zoti Summers.

Flloyd Cerily-u, që është një analist i pavarur i anketave të opinionit publik thotë se, sipas anketave të tij, politika e jashtme, madje edhe Iraku, kanë rënë poshtë si përparësi.

Sigurisht që kriza ekonomike e ka bërë ekonominë çështjen kryesore në fushatë, thotë ai, por shton se, suksesi i stategjisë së fundit amerikane në Irak, The Surge, ka sjellë një reagim të pakuptueshëm politik.

“Sa më e suksesshme të ishte strategjia ushtarake në Irak, aq më pak mbulim nga media pati,” - thotë zoti Cerily-u. “Sa më shumë që dilte në pah strategjia që zoti McCain ka mbështetur, aq më shumë kjo çështje është larguar nga rendi i ditës, duke mos i dhënë atij, në një farë mënyre, meritën që ai kërkonte të merrte për këtë,” - thotë ai.

Richard Hass-i, president i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë në Nju-Jork, republikan që ka punuar më parë në administratën e presidentit Bush, thotë se kriza financiare e ka dëmtuar pozicionin e SHBA-së në botë, por shton se kjo nuk është e përhershme. “Sa do kohë që do t’i duhet ShBA-së të gjejë vetveten, nuk mendoj se ka ndonjë tjetër që mund të zërë vendin tonë,” - thotë ai.

Zoti Hart, sugjeron që Amerika të marrë rol udhëheqës, duke propozuar një regjim rregullues botëror për të dalë nga gjendja e vështirë financiare. Shqetësimet ekonomike po kombinohen me një botë në ndryshim dhe anketuesi Cerily, thotë se kjo do të ketë një ndikim të rëndësishëm në sjelljen e votuesve.

*Autori është korrespodent i BBC-së në New York

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›