Debati publik, nevoja për rikonceptim
Lajmi i djeshëm për rikthimin në statusin e provincës autonome të Vojvodinës (si një kulminacion gradual që ishte në vijëmësi të një ligji tjetër në 2002-shin), të sjell ndërmend Kushtetutën e 1974-ës të Jugosllavisë së atëhershme, që ia njihte këtë të drejtë Kosovës dhe Vojvodinës dhe, është një risi që duket se hap një faqe të re në lidhje me raportet e Serbisë me rajonet minoritare, ende nën autoritetin shtetëror dhe sovranitetin e saj, si Vojvodina dhe Sanxhaku. Në fakt, përpara se të marrë fuqi të mirëfilltë ligjore, ky akt i parlamentit rajonal, duhet të ratifikohet edhe nga parlamenti serb, por duket se sinjalet janë pozitive në këtë drejtim, pas prononcimit të Tadic-it, që e përshëndeste si nismë. Ndër të tjera, Vojvodina do ketë të drejtën e një kryeqyteti (Novi Sad), të ketë një përfaqësi në Bruksel dhe të jetë e përfaqësuar nga një qeveri në vend të një këshilli ekzekutiv që ka operuar deri tani.
Rregjistrimi i përgjithshëm i vitit 2002, arriti në përfundimin që, 27 përqind e popullsisë jeton në rajonin e Vojvodinës, që është njëkohësisht edhe pjesa më e zhvilluar e vendit. Përbëhet nga një tokë pjellore, që dikur ka qenë hambari i Jugosllavisë dhe burimi kryesor i eksportit të prodhimeve bujqësore dhe ka disa qendra urbane mjaft të zhvilluara, si p.sh. Novi Sadi, ndërkohë që është përqendruar edhe një pjesë e mirë e inteligjencës së vendit, duke u bërë kështu qendra më e rëndësishme social-ekonomiko-kulturore pas Beogradit.
Duhet nënvizuar fakti që, në këtë rajon ku banon në mënyrë të koncetruar minoriteti hungarez i Serbisë, ka qenë pjesë e Hungarisë nga shekulli i 10-të, deri në 1918-ën, me përjashtim të periudhës kur ka qenë nën pushtimin Otoman. Gjithashtu, hungarezët kanë përbërë maxhorancën e popullsisë deri vonë, ku shteti serb, nëpërmjet politikave asimiluese, diskriminuese (ku ka qenë i përfshirë edhe transferta e popullsisë, sidomos në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe veçanërisht pas Traktatit të Trianonit, që imponoi kushte poshtëruese ndaj Hungarisë, e cila humbi një të tretën e territorit të saj).
Në fakt, qeveritë e njëpasnjëshme pasmillosheviçiane, kanë patur një emërues të përbashkët në faktin që, janë munduar ta portretizojnë veten si radikalisht të ndryshëm nga egërsia që shoqëronte rregjimin e Sllobodanit, sidomos në lidhje me pakicat. Qeveritë, por edhe spektri politik në përgjithësi, me përjashtim të një fraksioni të radikalëve, janë distancuar pra nga metodat e ndjekura nga Millosheviçi, por jo nga qëllimi, i cili është ruajtja me çdo kusht, qoftë edhe i sovranitetit formal mbi territoret. Asgjë nuk është më i rëndësishëm se ky qëllim, as autonomia faktike apo formale që mund të gëzojnë këto rajone duke u shkëputur nga centralizimi i Beogradit, as pavarësia që tashmë është kthyer në një fakt të pakundërshtueshëm empirik, si rasti i Kosovës, për të cilën nuk mund të ketë kthim mbrapa (pavarësisht edhe ndonjë opinion-jurisë në disfavor nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, çka është edhe skenari më i keq i mundshëm), as miratimi apo mosmiratimi i minoriteteve që jetojnë në këto territore i politikave të Beogradit.
Në vetvete ky qëllim, në dukje i fandaksur, për ruajtjen me çdo kusht të sovranitetit formal mbi territoret, megjithë humbjen e pushtetit faktit mbi to (dhe në rastin e Kosovës edhe de jure), nuk ka të bëjë me thelbin normativ të çështjes. Më tepër i shërben frymës radikale nacionaliste që është imponuar këto dy dekada paskomunizmi në Serbi dhe ku duket se çdo politikan apo parti politike që refuzon t’i nënshtrohet këtij presioni ‘komunitar’, është i/e destinuar të dështojë. Pra, një frymë kolektive e sendërtuar me vetëdije nga politikanë të tipit Sheshejl, Millosheviç, Drashkoviç dhe Koshtunica, tashmë ka mbërthyer në mënyrë, ndoshta të pavetëdijshme, klasën politike serbe, e cila duket se ka pak rrugëzgjidhje nëse nuk do të antagonizojë në mënyrë të vetëdijshme natyrisht, opinionin publik.
Gjithsesi trendi i humbjes së njëpasnjëshme të territoreve të një qytetari serb të zakonshëm, mund t`i duket katastrofike po të marrësh parasysh historinë që ai ka nxënë në bankat e shkollës dhe ku duket se Serbisë, me anë të ‘kërbacit’ ndërkombëtar, i janë shkëputur fillimisht rajone ‘autoktone’, ku banojnë serbë si, Krajina në Kroaci, Republika Serbska e inkorporuar në Bosnje-Herzegovinë, pavarësitë e njëpasnjëshme të Malit të Zi dhe Kosovës, apo tashmë autonomia e Vojvodinës dhe, ndoshta, një mundësi që në të ardhmen, këtë trend, ta ndjekë edhe popullsia me shumicë myslimane e Sanxhakut. Kjo i shërben përforcimit të ‘mitit të sakrificës’ që është edhe në themel të historiografisë serbe dhe, natyrisht, është një mënyrë e njëanshme e të shikuarit të proceseve evolutive. Pavarëisht këtij deduksioni, fakti ngelet që, barra e politikanëve të së tashmes dhe të ardhmes në Serbi, sidomos të atyre me qasje dhe vizion evropian që të arrijnë të ndryshojnë ligjërimin mbizotërues publik dhe të orientojnë debatin drejt një fryme tjetër që nuk lidhet me mitizimin e territoreve të humbura dhe ushqejnë ndjenjën e sakrificës apo hakmarrjes, por me shpjegimin jopasionant të fakteve historike, të shkëputura nga konteksti subjektiv, si dhe të vënë theksin te nevojshmëria e bashkëpunimit akoma më të ngushtë me fqinjët malalzezë, hungarezë apo shqiptarë të të dyja shteteve, si e vetmja mënyrë për përshpejtimin e vendit në strukturat euro-atlantike dhe forcimit të tregtisë dhe bashkëpunimit