Po shembet Shqipnia!
TRAGJEDIA E GJIROKASTRËS
Deri në vitet ’90, shqiptarët vuejtën për strehim dinjitoz, për nji shtëpi. Nji dhomë për nji person ishte për shumicën absolute të qytetarëve shqiptarë nji luks i pamendueshëm. Partia/shtet, atëherë preokupohej me ba bunkera, të cilët, siç dihet, nuk janë aspak të përshtatshëm për banim. Me vitet ’90 shpërthen andrra e ligjshme e shqiptarëve për nji strehë, për nji votër dinjitoze, të ngrohtë, që s’pikon, pa lagshtinë, pa re në mure.
E kështu fantazia e ndrydhun çlirohej në ndërtime shtëpiash, vilash e pallatesh aveniristike, pa shije dhe shpeshherë jofunksionale. Çdo gjeometër apo edhe murator i thjeshtë e ndiente veten të autorizuem me ia kalue Leonardo Da Vinçit, pa pasë as mjete dhe as talent. Nuk asht zor me pa anekand shtëpia të reja dykatëshe me shkalla përjashta, balkone ovale në fasada drejtëkandëshe, ngjyra të ndezta tropikale dhe çatina alpine, dritare që ngjajnë me arkivole, balkone që duken si pulte komandimi etj. etj.
E vjetra asht shembë, deridiku me të drejtë, por shpeshherë vendin e saj e ka zanë me arrogancë e shëmtuemja. Mbrapshtia asht ulë kambëkryq në rrugët e në sheshet e qyteteve tona. Janë mbyllë kalimet për mjetet e mbrojtjes kundër zjarrit dhe të ndihmës së shpejtë, asht ndërtue kundër ligjeve ma elementare të qytetnimit. E gjithë kjo ka ndodhë nën hundën e autoriteteve, të cilat, tue gjykue prej gjendjes së sotme, kanë tregue se kanë autoritet vetëm me i mbyllë sytë dhe me shtri dorën, shenj i nji vesi të turpshëm që na klasifikon në krye të botës së korrupsionit.
Qytetet dhe qendrat e banueme në përgjithsi kanë diçka të përbashkët me organizmat e gjalla. Landa e tyne asht trupi, kurse forma e qyteteve asht shpirti. Të paktën kështu e ka konceptue qytetin tradita antike dhe mandej Rilindja europiane. Në anën tjetër rritja e masës dhe e volumit të qenjeve asht nji ligj i natyrës që vepron edhe tek ne.
Por, rritja pa kriter kthehet në nji sëmundje që rrezikon të gjithë organizmat. Tragjedia e fundit detyroi deri edhe ata që duhet ta kishin parandalue ketë turp kombtar me pranue ndër dhambë se nji pjesë jo e vogël familjesh shqiptare jeton në atole që rrezikojnë me u zhdukë tue përpi prej çastit në çast banorët e tyne.
Krimi ka ba që andrra e ligjshme e shqiptarëve për nji strehë të kthehet papritun në nji makth që mbyt dhe shkallmon gjithçka. Në këto vite andrrat ma të mira të shqiptarëve janë kthye o në letra pa vlerë ose në letra të zeza për mija e mija qytetarë, dhe për këtë gja, përposë viktimave nuk ka pague askush tjetër.
Tragjedia e Gjirokastrës nuk asht nji rastësi apo nji fatalitet, ajo asht pjesë e sistemit të paligjshëm që sundon në fushën e ndërtimeve me aprovimin bashkëfajtor të politikës sonë. Sot politikanëve tanë hipokritë u bjen në mend se shëmtimi që zotnon në qytetet tona mbërrin edhe me vra qytetarët e mjerë. Ata qytetarë që humbën jetën, të tjerët që e rrezikojnë çdo çast, dhe të gjithë shqiptarët që janë të dënuem me jetue në qytetete të shpërfytyrueme prej ndërtimesh të mnershme duhet t’ia dijnë për nder politikës shqiptare që tue përfitue në mënyrë të paligjshme ka lejue krime të tilla urbanistike dhe sociale.