Po trafikonin 60 kg kokainë të fshehura në makinë, arrestohen 3 shqiptarët në Itali

Policia italiane ka goditur një rast të trafikimit të sasive të mëdha të drogës.
Operacioni është bërë dy ditë më parë në Breshia. Të paktën 60 kg kokainë e pastër është sekuestruar gjatë ndërhyrjes së agjentëve, kurse në pranga ranë edhe 3 shqiptarë.
Gjatë kontrollit, patrulla ndaloi një automjet me targa shqiptare , që shërbente për transportin e personave, në të cilin udhëtonin tre personat.Kur u pyet për destinacionin e mjetit, shoferi nuk ishte në gjendje të jepte një përgjigje të vlefshme. Nisur nga qëndrimi dyshues dhe nga përgjigjet e dhëna, ushtarakët kryen një kontroll të brendshëm të mjetit, në të cilin ishin vendosur disa valixhe dhe qese plastike, informon media italiane.
Në disa prej tyre u gjetën 60 blloqe kokaine të mbyllura mirë, për një total prej 60 kg lëndë narkotike. Të tre personat u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Breshias dhe arrestimi i tyre u vërtetua pak orë më parë.