E Diel, 1 Nëntor 2026

Po transportonte veshje të kontrabanduara me vlerë 45 mijë euro, arrestohet 26-vjeçari në aksin Elbasan-Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Wrong Way”, duke goditur një rast të kontrabandës së mallrave.

Një 26-vjeçar është arrestuar në flagrancë në aksin rrugor Elbasan–Tiranë, pasi u kap duke transportuar me furgon veshje të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 45 000 euro.

Në pranga ra shtetasi me iniciale R. K., banues në Korçë.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë konstatuan se ai transportonte 19 paketime (thasë) me veshje që dyshohen si imitime markash të ndryshme, pa dokumentacionin përkatës shoqërues.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshjet dhe furgoni.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në kuadër të goditjes së veprimtarive të paligjshme në fushën e kontrabandës.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›