E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poeti i shquar grek Dino Kubatis në Tiranë

Nga Riza Lahi

dino buxatiÇfarë të përbashkët ka poezia e lashtësisë së shndritshme greke me këtë të sotmen në Greqi? Njëri nga poetët më të shquar të Greqisë së sotme, Dino Kubatis, ky burrë që ka ardhur në Tiranë për një dasëm të dikujt nga njerëzit e gruas së tij shqiptare, bijës së bukur të Tepelenës së bukur, Luljeta Kubatis (Nuraj), qesh me sytë e tij të butë e të zgjuar.
Me siguri do të japë ndonjë përgjigje paksa edhe shpotitëse. Nuk jam i gabuar. Ka ndryshim shumë. Nëqoftëse në lashtësinë greke shkruanin vetëm poetë, sot shkruajnë poezi të gjithë, përfshirë edhe mua.
Dy përkthyeset , Luljeta dhe studentja shqiptare që studion në Athinë Ira Llangozi qeshin të parat, për të vazhduar edhe Monda Moisiu, Kozeta Zavalani dhe unë, me të qeshurën e bujshme.
Në kohën kur politika jo rrallë ka acaruar, shtënë në ngërç apo normalizuar prapë problemet me Greqinë fqinje, Kubatis, në mënyrë konstante e ka dashur dhe e  do popullin shqiptar deri në masën sa, dashurinë e  tij ia ka dhuruar kësaj bije të Tepelenës.
Pse e do kaq shumë Shqipërinë ai? Ne kemi një histori shpeshherë të përbashkët. Jemi nga popujt më të vjetër të Ballkanit dhe gjuhët tona nuk ngjajnë as me gjuhët latine, as sllav e as gjermanike. Neve shpesh na është dashur të luftojmë me të njëjtët armiq, si me otomanët, me fashistët a me nazistët. Unë kam miq shumë në Shqipëri, shton ai duke u plotësuar nga Monda Moisiu që tregon se sapo është vlerësuar me çmimin më të lartë poeti grek Kubatis në takimin e përvitshëm poetik të Korçës.
Parvjet ai ka marrë dhe një çmim shumë të vlerësuar në Kosovë, ndërhyn bija e Tepelenës . Kubatis ka marrë gjithë ato trofe ndërkombëtare, por, dashurinë e  tij për vendin tonë, e ka marrë të shpërblyer jo vetëm me dashurinë e miqve e mikeshave të tij të shumta, por edhe me çmime të kohëpaskohshme letrare e ftesave të vazhdueshme për të ardhur në Shqipëri.
Kubatis është autor i një libri kushtuar vendit tonë dhe i kushedi se sa poezive të kësaj teme. Ai ka miqësi personale me poetët shqiptarë si Dritëro Agolli, Kristaq Shabani, Novruz Shehu, Skënder Rusi, Raimonda Moisiu, Kozeta Zavalani, Ilirjan Zhupa, Moikom Zeqo Bruno e Primo Shllaku, përkthyesen e poezisë së tij Mimoza Dino  e plot të tjerë.
Por ai ka plot miq edhe në Kosovë, megjithëse, siç thotë edhe vetë, nuk ka patur ende lumturinë të njohë njerëzit e zakonshëm atje, por krenohet se ka patur shumë miqësi me Ali Podrimen apo me poetët bashkëkohorë kosovarë si Muharrem Kurti, Jeton Kelmendi, Gjekë Marinaj etj.
Kubatis drejton një forum ndërkombëtar që quhet Kafeja e ideve. Ky forum shpall konkurse të vitpërvitshëm dhe, meqenëqë është forum ndërkombëtar, ai fton poetë nga të gjithë vendet të konkurrojnë atje, sigurisht me gjuhët bazë, si greqishtja, anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja, turqishtja edhe shqipja. Vitin që kaloi ka qenë një fitimtar nga Shqipëria, poeti ynë i njohur tropojan Mujë Buçpapaj.
Presidenti i Lidhjes Ndërkombëtare të shkrimtarëve dhe artistëve Pegas – Albania, poeti Kristaq Shabani, na tha në telefon se Kubatis është Anëtar Nderi i Pegas Albania që në vitin 2004 dhe se ai e ka njohur për herë të parë në redaksinë e revistës Poezia bashkëkohore greko shqiptare që e drejtonte Kubati dhe e botonte i ndjeri Aristidh Kolias në Athinë .
EPo në Greqi, a shkruajnë poetët për hallet e popullit apo shkruajnë kryesisht për dashuri, siç ngjet te ne në letrat e sotme? Sërish Kubatis përgatitet të japë ndonjë përgjigje ku ka dozën e vet të notave gazmore  Vuajnë të gjithë, por e kanë zgjidhur këtë problem duke shkruar për dashurinë  dhe duke e ndryrë vuajtjet e veta në zemrat e tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›