E Diel, 1 Nëntor 2026

Poetja kanadeze Anne Carson fiton Çmimin Nobel në Letërsi, shtëpia botuese “Aleph”, gati botimin

Poetja kanadeze Anne Carson fiton Çmimin Nobel në Letërsi, shtëpia botuese “Aleph”, gati botimin

Poetja, eseistja dhe përkthyesja kanadeze Anne Carson është laureuar me Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2026.

76-vjeçarja është e njohur për veprat e saj që ndërthurin poezinë, prozën, përkthimin dhe studimet klasike, duke sfiduar kufijtë tradicionalë mes zhanreve letrare.

Ndërkaq shtëpia botuese në Tiranë “Aleph” kishte gati publikimin e poezive të saj kohë më parë ndërsa mban të drejtën e autorit për publikimet në Shqipëri. “Aleph” është një shtëpi botuese mjaft e vëmendshme ndaj letërsisë botërore ndërsa ka publikuar në shqip para se të fitonin Nobel, 6 nobelistët e viteve të fundit.

Akademia Suedeze tha se çmimi i jepet Carson për “veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.

Çmimi Nobel në Letërsi vlerëson një krijimtari të tërë letrare dhe konsiderohet një nga nderimet më prestigjioze në botën e letërsisë. Fituesi merr 12 milionë korona suedeze, rreth 900 mijë paund ose 1.2 milionë dollarë.

Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, tha se e telefonoi Carson pak para njoftimit zyrtar për t’i komunikuar lajmin. Sipas saj, Carson ndodhej në Islandë dhe po dëgjonte erën kur mori telefonatën.

“Ajo u befasua, por ishte shumë e lumtur”, tha Carlberg.

Sponsorizuar

Anders Olsson, kryetar i Komitetit Nobel për Letërsinë të Akademisë Suedeze, vlerësoi mënyrën se si Carson është shkëputur nga poezia lirike e lidhur ngushtë me rrëfimin autobiografik dhe ka krijuar forma të reja në letërsinë bashkëkohore.

Sipas tij, mënyra e veçantë e të shkruarit të Carson krijon vepra lozonjare dhe ironike, të cilat lëvizin mes poezisë klasike dhe asaj moderne, si edhe mes zhanreve dhe formave të ndryshme të artit.

Ndër veprat më të njohura të Anne Carson janë “The Glass Essay”, “Autobiography of Red: A Novel in Verse”, “Nox”, “Float” dhe “The Beauty of the Husband: A Fictional Essay in 29 Tangos”.

Carson ka përkthyer gjithashtu vepra të letërsisë së lashtë greke dhe ka punuar për më shumë se tri dekada si profesoreshë e klasikëve.

Me këtë vlerësim, Anne Carson i bashkohet listës së autorëve të nderuar me Çmimin Nobel në Letërsi, duke u vlerësuar për një krijimtari që ndërthur poezinë, traditën klasike dhe format bashkëkohore të shkrimit. a.b

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›