Spiropali debat me Bardhin por paralajmëron Ballukun: S’më shantazhojnë dot as ata që të kërcënuan ty në Fier

Pas akuzave të kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, se deputetët socialistë janë shantazhuar për të ndryshuar qëndrim lidhur me reformën territoriale, Elisa Spiropali ka reaguar në Kuvend, duke deklaruar se askush nuk mund ta kërcënojë apo shantazhojë.
Spiropali iu drejtua drejtpërdrejt Bardhit, duke iu referuar edhe zhvillimeve në Fier dhe duke bërë një deklaratë që prek edhe kolegen e saj, Belinda Balluku, e cila në zgjedhjet e kaluara drejtoi politikisht fushatën e PS në këtë qark.
“Shoh një kolege që tha se do të votojmë zërin e qytetarëve dhe bëri një platformë me 10 pika. Pse nuk e dëgjoni sot? Sepse e shantazhuat. Ju merrni peng dhe shantazhoni këdo që ju del kundër. Këta jeni ju”, u shpreh Bardhi.
Në përgjigje, Spiropali deklaroi:
“Të jesh i sigurt se nuk ka njeri këtu që mund të më shantazhojë mua. Dëgjo, se nuk je ti zëri i qytetarëve, se pretendon se je zëri i qytetarëve. Madje nuk më shantazhojnë dot as ata që të shantazhuan ty, të gjithë deputetë e ça kishe drejtues të Partisë Demokratike të lavdishme në Fier. As ata nuk më shantazhojnë dot se do të shkojnë aty ku kanë vendin dhe e them prapë.
Sponsorizuar
Por po të them edhe diçka tjetër, që nuk mund të përdoret këtu çdo mikrofon, çdo platformë, çdo diskutim për të folur gjithmonë për të njëjtën çështje. Unë u qëndroj një më një gjërave që kam thënë në platformë dhe pa platformë. E kam prezantuar edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste, ashtu siç ju nuk guxoni të thoni qoftë edhe një fjalë as në Kryesinë e Partisë suaj, as në mbledhje.
Ju s’keni parti, ju keni vetëm një njeri në krye. I kam dalë kundër kulturës së personalizimit dhe të kontrollit të pushtetit, nga pushteti lokal deri në pushtetin qendror. Atë që ju e keni jo vetëm moto, por e keni frymë. Ju jeni mishërimi i personalizimit ekstrem të pushtetit, deri në katandisje.
Dhe unë i kam dalë kundër kësaj kulture sepse besoj se kemi mundësinë për ndryshim. Dhe mos i lidh çështjet që janë të palidhura, se të jesh i sigurt që të gjitha do të zgjidhen shumë shpejt”, u shpreh Spiropali.