Pogaçi: Qeveria e re të anulojë vendimin për SHQUP-in
Kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçi, thotë se ushtarakët presin që qeveria Rama të anulojë vendimin e Berishës për ti dhënë Partisë Demokratike SHQUP-in.
Në një prononcim për GSH, Pogaçi thotë se përveç këtij vendimi duhen anuluar edhe të tjera vendime të kësaj natyre.
Ai është shprehur optimist lidhur me një anulim të mundshëm të vendimit për kalimin e SHQUP-it, në seli të PD-së.
Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë dhe gjithë shoqata dhe ushtarakët aktivë, në rezervë dhe në pension kërkojnë dhe kanë besim në deklaratat e ministres së ardhshme të Mbrojtjes, znj.Mimi Kodheli dhe të disa deputetëve të majtë në masmedia, gjatë këtyre ditëve, besim se qeveria e ardhshme e kryeministrit Edi Rama do ta anulojë këtë vendim dhe mjaft vendime të tjera të mbrapshta, duke rikthyer shtëpitë e ushtarakëve, Spitalin Ushtarak, në identitet dhe në shërbim të të gjithë ushtarakëve, u shpreh Pogaçi.
Ai i ka bërë thirrje edhe Presidentit, Bujar Nishani, që në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të prononcohet për këto çështje dhe të mos lejojë veprime të tilla kundër interesave të ushtarakëve./A.XH