E Diel, 1 Nëntor 2026

Pogradec, arrestohen një doganier dhe dy policë

Një doganier dhe dy policë të pikës së kalimit kufitar të Tushemishtit në Pogradec janë vënë në pranga nga kolegët e tyre të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Shkak për arrestimin është bërë një furgon me fruta, mall kontrabandë ky, që kishte mundur të hynte në qytetin e Pogradecit nga Maqedonia. Operacioni i koduar "Tushemishti", ka gozhduar këtë herë dy njerëz me uniformë dhe një doganier në detyrë në këtë pikë. Ardian Mëhilli, doganier, Genci Tahirllari, oficer i policisë kufitare dhe Mentor Killo, me detyrë kontrollor turni, janë arrestuar në të gdhirë. Sipas policisë, fillimisht është kapur mjeti tip furgon me targa KO4732B dhe është arrestuar drejtuesi i mjetit Ndriçim Halla. Kapja e mallrave kontrabandë, me një peshë prej 3 tonësh, ka bërë që operacioni të shtrihet drejt linjës, nga kishte mundur të depërtonte mjeti, i cili nuk dispononte asnjë dokument shoqërues për mollët dhe frutat që vinin nga shteti fqinj dhe as dokumentet shoqëruese dhe ato për zhdoganimin. Kjo ka hedhur dyshimet e para, ndërsa nga verifikimet është konstatuar se mjeti kishte kaluar nga pika e Tushemishtit, në orën 19:30 të së martës. Sipas të dhënave të policisë, ka rezultuar se mjeti nuk kishte kaluar nga pika e Qafëthanës, ku normalisht kryhet zhdoganimi i mallrave që vijnë nga Maqedonia. Për t‘iu shmangur detyrimeve dhe kontrolleve për mallin me një peshë 3 tonësh, Ndriçim Halla kishte kaluar nga pika tjetër e kalimit kufitar, Tushemishti. Edhe pse në këtë pikë nuk lejohet kalimi i mallrave dhe as zhdoganimi i tyre në kufi, tre punonjësit në detyrë kanë përfituar të kalojnë përmes kufirit gjatë natës mjetin me ngarkesë, në një kohë që në kufi nuk ka lëvizje. Burimet zyrtare të policisë thanë se janë bërë verifikimet e duhura që në momentin e arrestimit në flagrancë të shtetasit Ndriçim Halla, ndërsa më pas kanë rezultuar të përfshirë në favorizimin e kontrabandës të tre punonjësit në detyrë. "Të tre shtetasit, një doganier dhe dy punonjës të policisë kufitare, janë kapur në flagrancë, ndërsa ishin ende në detyrë. Ata janë arrestuar gjatë orëve të mëngjesit për favorizim të kontrabandës me mallra të tjerë në bashkëpunim dhe shpërdorimit të detyrës", kanë thënë burimet e Drejtorisë së Policisë së Korçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›