Itali, goditet një klan shqiptar i drogës
Antidroga italiane ka shkatërruar një bandë të drejtuar nga klanet shqiptare, me 17 anëtarë, e cila merrej me trafik të drogave të rënda. Operacioni për arrestimin e 17 personave është zhvilluar në Romë, Padova, Firence, Pesaro, Ankona dhe Peruxhia dhe ka sjellë sekuestrimin e një sasie të madhe heroine e kokaine, e cila arrin vlerën 5 milionë euro. Sipas drejtuesve të antidrogës së Barit, akuzat për të arrestuarit e djeshëm janë ato të organizimit të grupit kriminal dhe trafikut ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Policia italiane tha se urdhër-arrestet ishin lëshuar për 21 persona, ndërkohë që katër prej tyre janë akoma në kërkim dhe mes 17 të arrestuarve janë 15 libanezë dhe dy italianë. Sipas të dhënave, kokaina dërgohej në Pulja, ku një klan shqiptarësh kryente shpërndarjen e saj sipas krahinave. Droga ishte e destinuar për tregun italian dhe grek. "Të ardhurat e majme të trafikut të drogës transferoheshin në Shqipëri dhe investoheshin në aktivitete të rëndësishme ekonomike", ka deklaruar Klaudio Pekiçia, drejtori i antidrogës së Barit.