Karabeci, pranë rikthimit te Partizani
Të kuqtë janë në bisedime me mesfushorin që është pjesë e Tiranës. Rikthimi i tij konsiderohet përforcimi i duhur për Superligën
Skuadra e Partizanit vijon bisedimet me lojtarët që ajo ka në plan për tu afruar në skuadër. Erando Karabeci është një nga lojtarët që është në bisedime me skuadrën e kuqe. Mesfushori 24-vjeçar ka qenë pjesë e skuadrës së Partizanit dhe afrimi i tij bën pjesë në projektin për rikthimin e ish-lojtarëve në skuadër. Aktualisht, Karabeci është lojtar i Tiranës, me të cilën ka disa sezone që luan. Ai ka qenë pjesë e skuadrës kombëtare të U-19 dhe U-21.
Mesfushori është zbulim i trajnerit Shpëtim Duro në vitet 2008-2009, ku u afrua në skuadrën e kuqe. Pas rënies së Partizanit në kategorinë e parë, Karabeci prishi kontratën me të kuqtë dhe kaloi te skuadra e Tiranës, me të cilën luan aktualisht. Rikthimi Partizanit në Superligë ka hapur bisedimet për një kthim të mundshëm të tij te kryeqytetasit e kuq.
Edhe pse bordi drejtues i skuadrës ndodhet në Prishtinë së bashku me stafin e skuadrës, merkato vijon të mbetet në plan të parë për ekipin e Partizanit. Duhet theksuar se afrimi i mesfushorit nuk duket një çështje e lehtë, pasi në mes është Tirana, e cila e vlerëson lojtarin si pjesë të skuadrës, por edhe duke u bazuar te kontrata që ekziston në mes. Gjithsesi, mesfushori është një nga alternativat serioze të skuadrës për sezonin tjetër.
E gjithë skuadra në Prishtinë
Drejtuesit e skuadrës së kuqe ndodhen në Prishtinë, ku janë pritur nga drejtuesit e skuadrës kosovare. Gjatë ditës së djeshme, stafi ka vëzhguar me kujdes disa lojtarë të skuadrës prishtinase, por pa dhënë detaje mbi lojtarët e interesuar. Gjithsesi, vizita e të kuqve në Kosovë duket se nuk do të shkojë dëm, pasi krahas binjakëzimit, priten të afrohen edhe dy lojtarë cilësorë nga kjo skuadër.
Abilaliaj dhe Llani, jashtë planeve
Futbollistet e përfolur si alternativat e mundshme për skuadrën e Partizanit nuk janë në planet e skuadrës. Sipas burimeve në klubin e kuq, sulmuesi dhe portieri janë afruar në Janar, por ata kanë refuzuar afrimin te Partizani. Argumenti i tyre ka qenë se preferojnë skuadra të Superligës. Kjo ka bërë që këta lojtarë të mos jenë më pjesë e planit në merkaton e Partizanit. Gjithsesi, çdo gjë mbetet për tu parë ditët në vijim, pasi merkato sapo ka nisur.
