Polemika për vrasjen e ish-liderit të Libisë Muamar Gadafi

Vijon të mbetet e paqartë vrasja e Muamar Gedafit, ish-liderit të Libisë. Raportimet mbeten kontradiktore lidhur me momentet që çuan në vrasjen e kolonelit , por pjesa më e madhe e tyre, saktësojnë se ai është kapur i gjallë nga luftëtarët kryengritës dhe një gjë e tillë dëshmohet edhe nga pamjet e transmetuara , ndërsa disa zëra të tjerë thonë se ai u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit ndërmjet luftëtarëve të këshillit kombëtar të tranzicionit me përkrahësit e tij e më pas humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkaq ekziston edhe deklarata e 22-vjeçarit Sanad as Sadek al Ureibi që pretendon se e ka qëlluar ai Gadafin. Kanalet televizive arabe, por jo vetëm, kanë transmetuar pamje të një individi të plagosur dhe të përgjakur, për të cilin besohet se ishte Gadafi, i rrethuar nga njerëz të armatosurl. Pamjet tregonin luftëtarët duke e tërhequr trupin e pajetë nëpër trotuar, i zhveshur deri në mes, dhe me një rrëke gjaku nën kokën e tij. Megjithatë nuk dihet se në cilin moment janë regjistruar pamjet dhe për këtë arsye, ndërkombëtarët kanë kërkuar edhe hetim për ngjarjen dhe ekspertizën ne trupin e gadafit. Sanad al-Sadek al-Ureibi, 22 vjeçari që është pjesëtar i kryengritësve në Libi thekson se ai është vrasësi if vërtetë i ish-udhëheqësit libian Moamer Gadafi. Ai tregon se e ka goditur me dy plumba në kokë. “I kam shtënë me dy plumba, por ai nuk ndërroi jetë menjëherë, por pas gjysmë ore”, deklaron al-Ureibi, i cili kishte braktisur brigadën e tij në Bengazi dhe i ishte bashkëngjitur forcave kryengritëse në Misrata, të cilët kishin ndërmarrë sulmin për rrethimin e Sirtes. Nga ana tjeter, autoritetet e qeverisë së përkohshme mbajnë qëndrimin se Gadafi ishte goditur me një plumb gjatë shkëmbimit të zjarrit midis forcave përkrahëse të tij dhe forcave të kryengritësve. Kryengritësi i ri theksoi se Gadafi u kap në një rrugë që ishte i shoqëruar me disa fëmijë dhe vajza. “Ai mbante një kapelë dhe ne e njohëm nga flokët dhe më pas kuptuam se ishte ai”, pohon Al-Ureibi. Ndërkaq videot e publikuara shfaqin gadafin ndërsa lutet tek luftetarët e KKT-së dhe u thote se ata po e keqtrajtonin duke qene dhe se një gjë e tillë ishte “haram” në gjuhën e tyre, ose e ndaluar , duke iu referuar dhunës së ushtruar ndaj një ish lideri.