Poliçan, arrestohet Kushtrim Guri, autori i dhunimit të kufomës
Policia ka arritur të arrestojë Kushtrim Gurin, i cili një ditë më parë i tmerroi të gjithë me veprimin monstruoz të përdhosjes së kufomës së Shpëtim Dervishit, personit që i vrau të vëllain, duke i dhënë një përmasë makabre krimit të rëndë të ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytezën e vogël të Poliçanit. Sipas informacioneve të përcjella nga polica, ndalimi i tij është bërë nga forcat speciale të FNSH në një banesë të qytetit, ku qëndronte i fshehur që pas ditës së djeshme, ndërkohë që nuk kishte mundur të merrte pjesë në funeralit të vëllait të tij të vrarë dje, Vladimir Guri.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e ditës së djeshme, në ambientet e uzinës së armëve në qytetin e Poliçanit, kur roja i repartit, Shpëtim Dervishi, 48 vjeç, për arsye që ende nuk janë të qarta plotësisht, vrau me armën e shërbimit shefin e sigurisë teknike në uzinën e armëve, Vladimir Guri, 53 vjeç dhe më pas të njëjtën armë ia drejtoi edhe vetes duke i dhënë fund jetës.
Por nuk merr fund këtu ngjarja tragjike, pasi ajo që ndodhi më vonë duket se i kaloi kufijtë njerëzorë dhe solli pështjellim të madh jo vetëm tek banorët e qytezës së vogël e të izoluar të armëve, por në të gjithë vendin. Në kohën që lajmi i dy vrasjeve ishte përhapur dhe policia dhe ushtria (që e ka nën juridiksion uzinën mekanike të armëve në Poliçan) kishin mbyllur të gjitha kalimet për në uzinë dhe ishin duke ruajtur kufomat e dy të vrarëve në pritje të ardhjes së specialistëve të kriminalistikës, vëllai i shtetasit Vladimir Guri, Kushtrim Guri gjendet para vrasësit të të vëllait, i cili ndërkohë ishte i vdekur, dhe me një sëpatë i masakron trupin e pajetë, duke i shkëputur kokën.
Me kokën e Shpëtim Dervishit në duar, Kushtrim Guri ka ecur nëpër ambientet e uzinës dhe më pas e ka hedhur atë në një ferrë, ku është gjetur edhe nga policia. Veprimi çnjerëzor ka indinjuar shumë njerëz, të cilët pothuajse e kanë zhvendosur vëmendjen nga vrasjet (që janë shtuar kaq shumë kohët e fundit) dhe mendja u ka mbetur tek përdhosja çnjerëzore që iu bë një të vdekuri.
Për këtë veprim të rëndë, shtetasi Kushtrim Guri, tashmë në prangat e policisë, rrezikon deri në 5 vjet burg.
7 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Poliçan, arrestohet Kushtrim Guri, autori i dhunimit të kufomës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip