E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçan, gati asgjësimi i zhivës

 

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

Merr fund ankthi i banorëve të Poliçanit për rrezikun që u kanosej nga prania e një sasie të konsiderueshme të lëndëve kimike në ambientet e kombinatit ushtarak. Kryebashkiaku i këtij qyteti, Adriatik Zotka konfirmoi dje se në fillimin e javës që po vjen është vendosur të ndërhyhet për asgjësimin e zhivës dhe të lëndëve të tjera. Specialistë të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe të Kombinatit Ushtarak, do të ndërhyjnë për asgjësimin e kësaj lënde. Gjatë këtij procesi mësohet se janë siguruar më parë të gjitha parametrat e nevojshëm për të shmangur ndonjë katastrofë. Kjo për shkak se ambientet ku ndodhen këto kimikate të rrezikshme janë shumë afër banesave të Poliçanit. Megjithatë, kryebashkiaku Zotka nuk përjashtoi mundësinë e një evakuimi të banorëve. Sipas tij, kjo bëhet për të evituar ndonjë incident apo shpërthim të mundshëm gjatë kësaj faze, pasi vihet në rrezik jeta e 5 mijë banorëve të qytetit. Mësohet se pjesë e grupit për shkatërrimin e kësaj lënde janë edhe specialistë të Gërdecit. Ata kanë mbërritur prej disa ditësh në Poliçan dhe po konsultohen edhe me ekspertë të kombinatit. Bashkarisht grupet e punës do të kryejnë një ndërhyrje të tillë, duke garantuar më parë parametrat në të cilat do të kryhet çdo veprim. "Janë marrë të gjitha masat për ruajtjen e popullatës, në mënyrë që të mos kemi ndonjë incident gjatë procesit të asgjësimit të zhivës", bëri të ditur kryebashkiaku Zotka. Mësohet se në Poliçan do të dislokohen mjaft makina të ushtrisë, të gatshme për ndërhyrje në rast nevoje, makina të zjarrfikëseve, të cilat gjithashtu do të jenë në gatishmëri në rast të ndonjë shpërthimi. Njëherazi, do të ketë forca të shumta të policisë, të ardhur enkas edhe nga Berati për të përballuar situatën. Magazinat në të cilat ndodhen rreth 300 kilogramë zhivë janë vetëm 20 metra larg njëra-tjetrës në ambientet e kombinatit. Veprimi më i vogël që thyen parametrat e fiksuara në planin e ndërhyrjes mund të çojë në katastrofë, pasi pak metra larg tyre janë edhe mijëra predha që pritet të çmontohen. "Qyteti kanosej nga sasia e madhe e zhivës dhe një tjetër kimikat më i rrezikshëm, tritol rezociunetrit plumbi (TNRP), të cilët ndodhen fare pranë objektit ku kryhet çmontimi i predhave", ka pohuar një nga ekspertët që punon prej dekadash në këtë kombinat. Kreu i bashkisë, Adriatik Zotka i bëri apel qeverisë në tetor të këtij viti që të merren masa. Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes duhej të garantonte jetën e qytetarëve para se të çonte në Poliçan predhat luftarake për t'i çmontuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›