Grekët dorëzojnë spitalin në duart e ushtarakëve shqiptarë
GJIROKASTER - Spitali Ushtarak i Gjirokastrës, ndërtuar dhe administruar prej 4 vjetësh nga Ministria Greke e Mbrojtjes, prej mesditës së djeshme do të menaxhohet nga forcat e Repartit të Këmbësorisë së Gjirokastrës. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të godinës njëkatëshe që kushtoi 1.8 milionë euro kanë qenë të pranishëm zv/ministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, ambasadori grek, Nikolas Pazios, si dhe përfaqësues të lartë të dy ministrive respektive. "Përbërja e spitalit ushtarak me reparte pranim-urgjence, kirurgjie, terapie, stomatologjie, farmacie, laboratorë të funksioneve të ndryshme, si dhe aparaturave mjekësore bashkëkohore të instaluara, flasin për një kontribut real, të ndjeshëm dhe të vlerësuar nga ana e shtetit grek në ndihmë të vendit tonë", u shpreh Karabina. Drejtori grek në ikje i spitalit ushtarak të Gjirokastrës, Jorgos Lapis, pohoi se ndihej krenar për veprën që u krye gjatë periudhës 4-vjeçare të funksionimit të qendrës shëndetësore greke në Gjirokastër. Spitali Ushtarak i Gjirokastrës është ngritur në territorin e Forcave Tokësore të Divizionit "Labëria", rreth dy kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Qëllimi i ndërtimit të spitalit ishte për të dhënë ndihmë nga ana mjekësore personelit të Forcave Ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, por është shfrytëzuar dhe për qëllime civile.