E Diel, 1 Nëntor 2026

Poliçan, grabitet posta me 1.5 milionë lekë të pensionistëve

Punonjësit e postës harruan çelësin në kasafortë, mbrëmjen e vjedhjes
Filiali i postës së Poliçanit bie pre e grabitësve. Persona ende të paidentifikuar nga policia, kanë arritur të vjedhin mbrëmjen e së hënës në këtë zyrë postare 1.5 milion lekë, të cilat do tu shpërndaheshin pensionistëve të qytetit të Poliçanit dhe fshatrave rreth tij. Burimet zyrtare të policisë bënë me dije se mbrëmjen e së hënës është grabitur filiali i postës Nr. 1 që ndodhet në qendër të Poliçanit. Të njëjtat burime shtuan se vjedhja është kryer nga persona ende anonimë, të cilit kanë hyrë në ambientet e kësaj poste duke çarë më parë një vrimë në murin e përbashkët me lokalin ngjitur me të. Sipas burimeve nga policia, vjedhja është zbuluar mëngjesin e djeshëm, kur punonjësit e filialit të postës kanë shkuar në punë. Sapo punonjësit e postës kanë hyrë në ambientet e saj kanë diktuar se u është vjedhur në kasafortë shuma e lekëve të tërhequra nga banka një ditë më parë për tua ndarë më pas pensionistëve të këtij qyteti. Sapo kanë gjetur kasafortën e lekëve bosh dhe më derë të hapur, punonjësit e filialit të postës kanë lajmëruar menjëherë eprorët e tyre si dhe punonjësit e policisë. Më pas kanë qenë forcat e policisë dhe ekspertët e saj ata që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes menjëherë dhe kanë filluar nga procedurat ligjore. Në vendin e ngjarjes ekspertët e policisë kanë kryer të gjitha procedurat duke fiksuar disa gjurmë dhe shenja të ndryshme gishtash, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës dhe që menjëherë janë nisur në laboratorin kriminalistik për tu kryer procedurat didaktike dhe krahasuar me shenjat e gishtave të lëna nga persona të ndryshëm në vjedhje të tjera. Po gjatë kryerjes të ekspertizës ekspertët e policisë dhe oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë nën hetim punonjësit e filialit të postës, të cilët kanë pohuar se kur janë larguar pas orarit zyrtar të një dite më parë pa dashje, kanë harruar çelësin në kasafortë. Sipas burimeve të policisë, vjedhësit e kanë kryer grabitjen duke hapur me thyerje derën e lokalit ngjitur me godinën dhe duke përfituar nga errësira, koha e keqe dhe mungesa e personave të tjerë kanë mundur të hapin një vrimë në murin ngjitur më filialin e postës dhe prej andej kanë mundur të vjedhin lekët në kasafortën me celësin në derën e saj. Duket se në këtë rast vjedhësit nuk e kanë pasur të vështir vjedhjen që sipas ekspertëve e kanë kryer me kujdes dhe pa rënë në sytë të patrullës të policisë. Pasi kanë marrë lekët, autorët e vjedhjes janë larguar në drejtim të paditur duke lënë pas vetëm kasafortën bosh dhe ankthin e pensionistëve nëse do ti marrin lekët e pensionit këtë muaj apo jo. Burimet policore thanë për gazetën se po punojnë në disa pista, njëra prej të cilëve është dhe ajo e harrimit me qëllim të çelësit në derën e kasafortës si dhe të personave që qëndrojnë afër këtyre vendeve që mbajnë lekë dhe që janë profesionistë në kryerjen e këtyre veprave penale. Ndërkaq, oficerët e policisë gjyqësore kanë përpiluar dosjen në detaj për të gjitha shenjat dhe sendet e gjetura në vendin e vjedhjes, dosje të cilën e kanë përcjellë në prokurori. Kjo e fundit do të vazhdojë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›