Përmet, në 5 komuna nuk ka nisur aplikimi për kartat
Ndërsa kanë mbetur më pak se dy muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit në gjashtë njësi të qeverisjes vendore në qarkun e Gjirokastrës nuk ka nisur ende procesi i pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit. Bëhet fjalë për pesë komuna në rrethin e Përmetit, përkatësisht në Petran, Piskovë, Sukë, Çarshovë e Ballaban si dhe një komunë në rrethin e Tepelenës, Fshat- Memaliaj, ku asnjë prej banorëve nuk ka patur mundësi të aplikojë për tu pajisur me letërnjoftimet elektronike.
Nuk ka një version zyrtar në lidhje me mosnisjen e procesit në këto komuna, por burime bëjnë të ditur se duke qenë se këto njësi kanë një numër relativisht të ulët banorësh, pajisja e tyre mund të kryhet edhe brenda kohës së mbetur deri në zhvillimin e zgjedhjeve. Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe mësohet se procesi është duke u kryer në 16 njësi të tjera të qeverisjes vendore në qark, përkatësisht në 6 bashkitë dhe 10 komunat. Shifrat zyrtare flasin për rreth 21 mijë persona që kanë aplikuar deri tani, nga rreth 120 mijë votues (persona mbi 18 vjeç), që llogariten në tri rrethet, Gjirokastër, Tepelenë e Përmet. Numrin më të lartë të aplikantëve e mban qyteti i Gjirokastrës me rreth 7 mijë persona, ndërkohë që gjatë këtyre ditëve fluksi ka qenë i konsiderueshëm.